Ne disa media ishte publikuar me alarm nje lajm sikur Kafja e Madhe ne Shkoder po shembet. Por kjo nuk eshte e vertete; Kafja e Madhe po restaurohet. Keto dite thjesht jane nderprere punimet.

Punimet për restaurimin e objektit, monument kulture “Kafja e Madhe” në Shkodër janë ndërprerë për shkak se investitorit privat i ka skaduar leja e ndërtimit. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

Objekti tradicional i këtij qyteti prej disa muajsh është në rikonstruksion, por rinovimi i lejes ka shkaktuar përplasje mes institucioneve. Leja për rindërtimin e Kafes së Madhe është marrë në 2016 ndërsa tani duhet rinovimi i lejes për të vazhduar punimet, ndërsa është shembur pjesa më e madhe e saj duke ruajtur fasadën siç parashikohet në projekt.

Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, Majlinda Laçej shpjegoi se investitori Agron Çelaj kishte marrë një leje në vitin 2016 për restaurimin e Kafes së Madhe, ndërsa punimet i ka nisur në vitin 2021. Për shkak të kësaj vonese, leja ka skaduar dhe do të duhet ta rinovojë në Ministrinë e Kulturës dhe në Këshillin Kombëtar të Monumenteve.

“Pronari ka depozituar një projekt restaurimi dhe mirëmbajtje për objektin Kafja e Madhe, ky projekt është miratuar në korrik 2016 por deri në ditët e sotme nuk është zbatuar. Në momentin kur nisën punimet, personat në kantier thanë se kanë marrë leje nga Bashkia në mars 2021, dua të sqaroj se përpos lejes së bashkisë duhet edhe leja nga Drejtoria e Trashëgimisë. Informuam personat e gjetur në kantier se duhet ndjekur procedura që duhet të ridërgohet edhe njëherë projekti për rishqyrtim në Institutin Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, tha Laçej.

Por këto pamje kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë pretenduar se po shkatërrohet trashëgimia kulturore e Shkodrës. Në përgjigje të tyre, Laçej sqaron se godina ka qenë tejet e amortizuar ndaj projekti parashikonte shembjen e saj, duke ruajtur vetëm fasadën.

“Normalisht ndërhyrja restauruese konsiston në heqjen e pjesës së dëmtuar të objektit dhe ndërtimin e një godine të re 2-3 kate, që manifestohet në projektin e miratuar në vitin 2016. Unë nuk të komentoj mbi pretendimet e njerëzve që mund të flasin për arsye personale e dashakeqëse, ata duhet të mbajnë përgjegjësi sipas rastit”, shtoi ajo.

Ideuar nga mjeshtri i madh Kolë Idromeno, godina ka arkitekturë tipike të fund shekullit të XIX, ndaj ‘Kafja e Madhe’ për shkodranët nuk është veç një kafe apo klub, por është pjesë e krenarisë së kryeqendrës së veriut.