Nga Enkel Demi
Ai pinte ndonjë gotë raki dhe tymoste duhan që ia kishin zverdhur mustaqet e trasha. Unë i qëndroja përballë, tek qeshja me të madhe me historitë që t’i vinte përpara si shuka për gjel deti. Çdo ditë kishte një gjë të re për të më treguar, por me siguri për atë vetë të vjetër nga motet që patën kaluar. Era e detit na flladiste fytyrat e ngrohura nga rakija, ndërsa ai vijonte të qëllonte ato fjali që sot ia kanë nxjerrë kudo si citate. Ia dilte mbanë që me ato ndodhi të ta mbushte mendjen se ti, dëgjuesi që shkriheshe në gaz, për të ishe më i veçanti. Kjo qe arsyeja përse të gjithë mendonin se e kishin mikun më të ngushtë, ja atje, buzë detit. Kështu ishte me gjithë mend, sepse ai kishte vetëm miq të ngushtë. Shpotiste gjithë botën, vinte në lojë gjithë botën, por nuk fyente asnjë fije bari të kësaj bote, se botën e donte çdo herë që përcillte frymën në mushkri. E vetmja që e tradhëtoi.
Ky njeri të merrte për dore të çonte në turnetë e Estradës në katunde, dinte të ta tregonte historinë e dashurisë së jetës, veç duke të mbajtur në humor me rengjet që i punonte së shoqes. E këpuste malli për të, sepse i shkoi shumë shpejt, por nuk qe patetik dhe asnjëherë nuk e lëshoi veten, kurrë nuk u soll si qaraman. Si gjithë komedianët e mëdhenj, gëzonte dhuntinë e tragjizmit magjik.
Tymi i duhanit që i përkëdhelte flokët e hirta nuk e linte të ndalonte, por shenjonte një vijë, e cila të merrte për dore dhe të bëhej udhë e bardhë në Portin e Durrësit, ku punonte dikur, në skenat e amatorëve, te hajgaret e zhurmshme me shokët, tek bijat që i çmonte si margaritarë të rrallë, tek zonja që nuk u lodh kurrë me bëmat e tij, tek shfaqjet, kinemaja. Pastaj ngrinte kupën që i digjte gjoksin e ashpër si të një marinari, të rreshkur nga erërat e detit. Sytë i kuqeshin pak, për një dekikë i njomeshin dhe ja, ku ta lëshonte thagmën e radhës. Ti qeshje me gjithë shpirt, pasi jeta është gënjeshtare dhe mendon se nuk do të ta marrë kurrë. Mund ta takoje pas një ore ose pas një viti, atëherë kur e kuptoje që kishe harruar me qesh.
Ai gjithmonë të mirëpriste, sepse ti ishe i veçantë për të si çdo njeri tjetër që haste në atë rrugëtim komik, ku njerëzit i prisnin udhën, por nuk ia ndërronin dot, pasi ai pati një mision; ai na e tregoi botën duke e qeshur. Kështu e zmadhonte atë, por e zvogëlonte njeriun që nuk e kënaq bota, që e shan botën, që qurravitet për botën.
Tani që shkoi, vajti qetë, se i erdhi Ora, gjë që nuk varej prej tij, kurrën e kurrës se e lodhi bota, por se çdo rrugëtim ka një fund. Ka gjasë të jetë i lumtur, se nuk ka për ta marrë më malli për zonjën e tij, ani se ka lënë trishtim tek margaritarët e tij.
Por, ama një gjë ma la peng tani që vajti; Kë do takoj unë, kur të kem harru’ me qesh? (27.al)
Veritas.com.al/