Rudina Xhunga shkruan:

Dje paraqita kallëzim penal në Prokurori.

Për pronarin e një agjencie turistike që më kërcënoi me jetë.

Enver Mehmeti pas një shkrimi në dritare.net për ferrin e pushimeve, prenotuar te agjencia tij, më bëri të qartë fundin që më priste.

Dhe ai e bën. Ndaj e denoncova.

E denoncova se e besova. Ai nuk është anonimi i zakonshëm që kërcënon në emër të partisë.

Ai kërcënon dhe e mban fjalën, në emër të parasë.

I ka paratë të çojë e mbrojë një njeri që më shtyp në vijat e bardha.

Gazetarët nuk i vrasin më në luftë. Është paraja, nuhatja që i çon te paraja, që ju merr jetën.

Unë jam gazetare e një jete, 20 vite prej të cilave, dy muaj, çdo vit ia kam kushtuar turizmit.

E kam bërë, apo jo?

Ma thuaj tani, jo ne përcjellje!

Nuk kam bërë kurrë gazetarinë e dekoltesë ose portofolit, kam bërë e bëj gazetarinë e zemrës. Kam bërë emisione në kasolle që u bënë hotele, në hotele që u bënë resorte, ne jugun, që po bëhet Amalfi ynë, Parga jonë, në veriun që u bë Zvicra jonë, sepse e dua këtë vend dhe ia shoh të ardhmen që do i vijë, një ditë, prej turizmit.

Dhe nëse ky njeri që më kërcënon, e di, por nuk do t’ia dije, atëherë e paskam prekur tek ajo çfarë mund të fshehë, ose ai pas të cilit mund të fshihet. Nuk i besoj përrallave me biznesmenë që nxehen e nxihen se media i përlyen. Hyr në tripadvisor, shiko gjithë komentet negative për një hotel dhe përgjigjet që jep administratori apo menaxheri. I përgjigjen çdo klienti.

Ky që të dënon me vdekje, pse ankohesh, nuk është njëri prej tyre. Kush nuk sqaron, por kërcënon diçka po fsheh. E dini ku shkojnë paratë e shqiptarëve për turizmin? E dini ku shkojnë më shumë shqiptarët me pushime?

Nuk janë në tokën tonë, as në detet tona, janë ne avionët që vijnë e kthehen nga Turqia. E dini si është qielli në orën 3 të mëngjesit, plot me njerëz që ikin e vijnë nga Tirana e Antalia, me avionë që i ruan zoti. (Temë për të investiguar kjo) .

Se sot agjencitë mund të të paguajnë t’ju mbrosh imazhin, po nesër mund të jesh ti në një avion që bie, e të vdesësh me klering).

Ata që shkojnë Turqi, s’ka dyshim që kënaqen, japin kursimet e një jete, nuk paguhen të shkojnë.

Por nëse njëri prej tyre guxon të ankohet në media , për pak më shume dinjitet, ja çfarë e pret!

Kur më dënojnë mua me vdekje, atë e vrasin pa gjurmë.

Kjo sepse nuk flasim.

“E kujt i bëhet vonë për mua, ndaj unë s’po flas. Mos fol se të ikën koka. ”

Po ç’e dua kokën unë, kur më duhet vetëm ta mbaj ulur?!

Dje dorëzova një kallëzim penal për kërcënim jete. Sepse dua mbrojtje prej një njeriu që me paratë e mia dhe të tuat, ka bërë paratë të më mbysë fjalën dhe shuajë mua.

Sot është radha ime, të kërkoj çfarë i trimëron enverët, dhe do të flas e bërtas që kur të të ndodhë ty, të thuash , “edhe mua”, jo të tërhiqesh si qytetar i dorës së dytë, se ai ka lekë e të bën gjëmën, ti je një mizë a një flutur qe s’bën dot dëm.

Dije, që siç ia jep ti lekët, ti ia dhuron edhe pushtetin, me heshtjen tënde. Dije, një flutur e sjell ortekun. Ndaj e kallëzova penalisht biznesmenin që më kërcënoi me jetë./ dritare. Net

Veritas.com.al/