Frrok Çupi
Në fakt, nuk ka fund; ose unë jam nga ata që nuk e besoj fundin. Çfarë thonë disa se fundi i botës po vjen, e gjykoj krejtësisht si një punë marketiste.
…. Por këta kanë ardhur në fund. Ose të paktën e besojnë dhe sillen sikur kanë ardhur në fund, bash në pikën kur jeta mbi “planetin” tonë Shqipëri, të kishte rezervuar për ta fatin e atij që vjen në fund. Kur vjen në fund, nuk ke për të lënë asgjë për askënd, atëherë merr dhe rrënon gjithçka gjen. Aq më tepër, këta e gjejnë veten “me fat” pse para tyre kishte pasur disa njerëz “naivë” ose “budallenj”!, që i lanë gjërat shtruar për ata që vijnë. Të tjerë pas tyre nuk ka.
Kështu kanë menduar të fortët më të këqinj në historinë njerëzore, duke u nisur që nga Mitologjia e deri në dhunimin e njeriut të thjeshtë në kohët moderne. Të gjithë kanë gjetur mbi tokë atë që u ishte lënë dhuratë nga “budallenjtë”.
Këta që po sillen ose edhe mendojnë aktualisht kështu, janë anëtarët e qeverisjes së vendit. Po t’i dëgjoni kur mbajnë fjalime, (madje edhe në një fjalim të kryeministrit dje), këta flasin për “epoka” dhe për “gjenerata”. Këta thonë se punojnë “për gjeneratën tjetër”.., domethënë se në këtë realitet do të rrënojnë çdo gjë!, dhe se “gjenerata” nuk do të jetojë kësaj here; veç herën tjetër kur të rilindë. E tëra është psikoza e atij që jeton në realitet më vete, që jeton si i fundit.
Ja disa tregues:
1.
Këta bëjnë çfarë iu do qejfi.
As duan të dinë për ligj e as për qënie njerëzore; këta i shkelin për vdekje, sikur të mos ishin. Duan këta të shpikin sikur është sulmuar farmacia e ministrit, e shpikin dhe ua lënë në derë njerëzve. Këta merren me përrallën dhe humbin mendjen. Pastaj del se ishte asgjë… Duan këta të të mashtrojnë e të ta bëjnë fushë me lule,.. e bëjnë! As ke punë, as ke shëndetësi falas, madje as shërbim shëndetësor. Kush do t’i kapë prej mëngës së xhaketës e tu thotë: “Eeej! Ku jeni?” … Duan të ta rrëmbejnë Parkun në mes tëditës? Po, ja ku jemi… Pas tyre nuk ka më njerëz. Duan këta të vjedhin gjithçka kanë nën pushtetin e tyre (dhe nën pushtetin e tyre kanë gjithçka)?!… Duan dhe po i vjedhin. Opozita, duke dhënë shifra, deklaroi dje se vjedhja e tyre llogaritet në afro 1 miliardë euro. Do të sillen faturat, edhe faktet, edhe provat? Mirë, po pastaj!? “Ku është problemi?. Hë, ku është problemi?!”, thotë kryeministri. Këta nuk pyesin. Këta janë të fundit, nuk ka më të tjerë që të gjykojnë kush e kreu krimin. Kryetari i qeverisë doli në ekrane dhe numëroi suksese pa fund. Të gjithë njerëzit e provojnë në jetën e tyre se gjithçka thotë “për të mirën” në fakt është tragjike, e rrejshme. Po pastaj?! Kush e provon këtë! Këta kanë ardhur të fundit, dhe askush nuk ekziston që të dëshmojë.
2.
Këta erdhën në kohën kur po prishej bota.
Më e fundit nga deklaratat e hapëta rreth idesë së “botës së prishur”, ishte deklarata e kryeministrit në Amerikë mbi zgjedhjet në Supërfuqi. Ky guxoi t’u sulet votuesve amerikanë e tu thotë “mos votoni për Trump!”, se ndryshe “u zemërova unë atje në Shqipëri!”. Zemërata e “të fundit të botës” tashmë tingëllon si shëmtim nga zemërata e Mostrës që nuk i dihet çfarë bën. Mirëpo në papërmbajtjen e vet, kryeministri, ” i fundmi i Shqipërisë”, kishte në kokë idenë se bota u prish dhe se këta këtu mund të mbretërojnë përjetësisht si të fundit.
Borive se “bota u prish”, qeveria e tanishme iu ka rënë prej kohësh, duke u kënaqur se “Europa është në shpërbërje!”, se “Europa ka nevojë për ne…!” Antiperendimizmi i këtyre nuk vjen veç nga origjina ideologjike staliniste. Këta nuk kanë ideologji, këta kanë interesa që të mos ketë të tjerë. Marrëzia ka të tilla aftësi saqë edhe një qeverie kaq të keqe në Tiranë, i shkon mendja se mund të jetë e fundit në qytetërimin perëndimor, ku të vjelë çfarë lanë “ata budallenjtë”. Ose jo veç që të rrëmbejnë, por shikojnë ëndërr sikur “Perëndimi nuk ekziston më” dhe këta janë të lirë të bëjnë gjithçka! Sa për njerëzit këtu, këta e kanë mbledhur mendjen se nuk ekziston askush. Këta janë të fundit…
Gjendjen e vështirë ku po kalon sot bota e qytetëruar (kriza e migrantëve, kriza në Siri, përballja me terrorizmin në zemër të Europës) këta e lexojnë sikur ka ardhur dita që të shijojnë fatin e “të fundit”. Këta i gëzohen rënies së ekonomisë dhe sigurisë globale dhe rajonale.
2.
Këta ndjehen si të fundit.
Por zemërata e brendshme pse fati ua la këtë shans për tani dhe nuk ua kishte dhuruar që ditën kur lindën!, i bën të tërbojnë. I kanë hyrë fushës së jetës së njeriut dhe të vendit me një tërbim të pashëmbullt. Po krijojnë kultin e të Keqes. Po e ngrejnë kultin e të Keqes si një shenjë zemërate për njerëzit që kanë jetuar në këtë vend dhe përbënin një komb. Po i lënë gjurmët e të keqes dhe të shëmtimit, me qëllim që të kënaqen më në fund!; ose me qëllim që edhe po të vijë ndonjë këmbë njeriu në tokën e tyre, ata që mund të vijnë ta ndjejnë veten mes shëmtisë.
E shikoni çfarë po ndodh?
Në mes të Tiranës po ngrihet një pallat përbindësh, ku thuhet se në këmbë të tij do të ketë edhe një stadium. ( E shikoni: Një përbindësh që çdo javë fut ndër këmbë mijëra njerëz që mendojnë se merren me sport, por në fakt janë të poshtëruar). Askund në botë nuk ka ndodhur deri më sot. Mos gjyko veç krimin e vjedhjes me anë të atij pallati. Por gjyko se si dinastia e këtyre do të ngulitet për shekuj si damkë. Ose dinastia e tyre do ta zemërojë aq keq njeriun sa ta ngrejë më këmbë e të rrëzojë simbolin e shëmtimit. Gjithë bota do të flasë pastaj për ne si racë me damka shëmtimi.
A nuk i dëgjuat politikanët në Francës dhe Britaninë e Madhe, kur thanë: “Ruhuni, mos u bëni si shqiptarët!”. Sepse këta të këtushmit ngritën kultin e shëmtisë politike në sy të Europës.
Nuk e shikoni qytetin e Tiranës si u bë i pabanueshëm. Sa shëmtim! Nuk e shikoni Korçën me një ironi boshe si kullën e Babelit. Në “Babel” zoti i trembej ngjitjes së njeriut, ndërsa këta tallen me njeriun.
Edhe udhëheqësit më të këqinj e më të shëmtuar të botës, e lanë emrin, por e lanë si shëmtim. Pol Poti, Mao Ce Duni, Hitleri, Gëdafi…. Sa e sa të tjerë do të përmenden, por si shëmtim i fundit.
… Këta janë të fundit. Shansi ua ka rezervuar këtë fat dhe po mbledhin gjithçka. Por intuita po iu punon për një neveri të mundshme ndaj tyre. Prandaj po ngrejnë Kultin e Shëmtisë dhe po e lënë mes nesh. Njësoj si në epokën antike, siç ka dëshirë qeveria të thotë kur thotë fjalën “epokë”. Herostrati, një zjarrvënës i Athinës i vuri flakën Tempullit të Artemisës- një nga mrekullitë e botës. Aktin e tmerrshëm e kreu me qëllim që t’i mbetet emri i keq në atë moment kur e gjykonte se ishte i fundit.
Edhe këta kanë ardhur në fund.