Shqipëria do të nisë prodhimin e municioneve, mjeteve të emergjencave dhe uniformave ushtarake brenda këtij viti. Gjatë prezantimit të një pakete të re ligjore për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, ministri i mbrojtjes Pirro Vengu tha se janë nënshkruar 6 kontrata për krijimin e 6 kompanive të përbashkëta shtet-privat përmes kompanisë shtetërore KAYO.
“6 kontratat parashikojnë prodhimin e municioneve, mjeteve dhe pajisjeve personale, uniformave, armatimit të lehtë, dronëve, sistemeve antidronë dhe mjetet e emergjencave civile. Presim që produktet e para Made in Albania, per tre nenprokuktet si mjetet taktike, mjetet e emergjencave, uniformat dhe municionet , prodhimet e para të fillojnë këtë vit. Kemi hyrë në fazën që duam të sigurojmë zinxhirin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjitha nënproduktet në mënyrë që të jemi në përputhje dhe me standardet e NATO-s”-tha ai.
Ministri Vengu tha se qeveria shqiptare është në fazën përfundimtare të negociatave me kompaninë “Fincantieri” për ringritjen e kantierit detar të Pashalimanit.
“Ky projekt synon jo vetëm prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe prodhimin dhe riparimin e mjeteve për nevojat e vendeve aleate” u shpreh Vengu.
Vengu nënvizoi se buxheti i këtij viti për mbrojtjen, rreth 58 miliarde lëkë, do të përdoret për të ringjallur industrinë e mbrojtjes. Ndërsa ligji eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, që mori u miratua në tre komisione parlamentare, do të rrisë sigurinë e importit, eksportit apo tranzitit të armeve të zjarrit, në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Komente