Zyra e Kryeministrit, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe disa nga Komunat e Kosovës janë bashkuar për të zgjidhur çështjen e qenve endacakë që janë kthyer në problem për qytetarët e Kosovës, dhe këtë e kanë quajtur ‘koalicioni kundër qenve’, raporton ‘Kallxo’.

Ka pasur disa raste që qentë e rrugës kanë sulmuar qytetarët; dhe kjo ka shërbyer si indicje që pushteti të marrë masa kundër qenve.

Sulmi i qenve endacakë ndaj djaloshit 4 vjeçar në Lagjen “Emshir”, apo i dy të tjerëve të sulmuar në Lagjen “Ulpiana” në Prishtinë në muajin shtator bënë që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Pak ditë më vonë në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një vendimi i ka detyruar të gjitha komunat e Kosovës të shpallin gjendje emergjente dhe të marrin masa për trajtimin e qenve endacakë.

“Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës në territorin e tyre të shpallin gjendjen emergjente dhe të mobilizojnë strukturat e sistemit të mbrojtjes, shpëtimit, ndihmës dhe shërbimeve të tjera emergjente, të cilat do të merren me trajtimin e qenve endacakë për të zvogëluar rrezikun e qytetarëve, ku do të përfshihen, zënia, kastrimi, sterilizimi, vaksinimi, dehelmentizimi, identifikimi dhe lëshimi i tyre”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Veritas.com.al/