/Shënim i botuesit/

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i Stefan Çapalikut, i zhvillon ngjarjet përgjatë një periudhe njëzetvjeçare, në qytetin e Shkodrës.

Dy gozhdët, që mbajnë të tërhequr litarin e ngjarjeve, janë ngulur në vitin 1967, kur Shqipërinë e shpallin shtet ateist dhe në vitin 1985, kur vdes ai që e shpalli.

Brenda këtyre dy ngjarjeve të forta, që përcaktojnë edhe segmentin më të ashpër dhe fanatik të komunizmit shqiptar, nxjerr krye një ngjarje tjetër, në dukje e vogël, që është ardhja e televizorit në shtëpinë e vendosur në qendër të romanit.

Ardhja e kësaj kutie magjike, tamam në çastin kur Shqipëria po kthehej në një ishull të shkretë e të pashpresë, e ndan romanin në tre pjesë: Para (ardhjes së televizorit),  Gjatë (koha kur nëpërmjet televizorit shikohej bota) dhe Mbas (koha që vjen pas vendosjes së zhurmuesit).

Romani e nis turrin tregimtar ndërsa jashtë po shkatërroheshin institutet e religjionit dhe brenda po lindte një institut i ri besimi, që ishte televizori, media. Ai i vë fre kallëzimit në kohën e realizimit të ëndrrës së diktatorit, vdekjes së tij në shtrat.

Veçanërisht gjatë viteve të shndërrimit të shtëpisë së rrëfimtarit në një kinema, kemi rastin të njihemi nga afër me karakteret, të cilat qyteti bujarisht ia ka dhuruar kujtesës së autorit.

Autobiografik, romani është një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së qytetit, përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa.

Letërsia shqipe e derimëtashme na e ka përcjellë komunizmin ose nëpërmjet “heronjve” që i vërdalloseshin Bllokut ose përmes Heronjëve që ngujoheshin burgjeve.

Ky nuk është as romani i heronjve ndër thonjëza, e as romani i heronjve me H të madhe…

/Veritas.com.al/