Vdekjen e Kancelarit gjerman me periudhën më të gjatë në ‘post’ e komenton Alexander Kudascheff.
Helmut Kohl-i ishte kancelari i bashkimit të Gjermanisë dhe i bashkimit të Evropës. 16 vjet ishte ai Kancelar Federal i Gjermanisë, një çerek shekulli kryetar i CDU-së – të gjitha këto flasin për një aftësi të pabesueshme për të rezistuar, një aftësi të habitshme për t’u imponuar, një dëshirë të çeliktë për pushtet, por edhe një fat demokratik në zgjedhje. Katër herë u zgjodh kancelar Helmut Kohli, një arritje politike imponuese e jetës së tij.
Si kryetar me sa duket i përjetshëm i CDU-së, ndjesia e tij për zhvillimet në radhët e veta, mosbesimi përballë rrymave kritike ishte legjendar. Megjithatë: kur në në vitin 1989 po luftonte për të mbijetuar politikisht në një kongres partie në Bremen, atë e ndihmoi hapja e Perdes së Hekurt. Dhe Kohli e shfrytëzoi shansin që u hap për të dhe për Gjermaninë, prej rënies së diktaturave komuniste. Ai shkroi histori. Ai e shfrytëzoi dritaren e shansit historik. Kohli u bë në këto muaj burrë shteti.
Pa dyshim: Helmut Kohli është kancelari i bashkimit të Gjermanisë. Ai ishte politikani, që nuk përfilli qëndrimet e lëkundura, frikërat, rezervat brenda dhe jashtë vendit – dhe synoi që prej nëntorit 1989 unitetin e Gjermanisë, të cilin e bëri realitet në 3 tetor 1990. Ai tregoi instinkt politik, historik në atë moment kur duhej ta tregonte. Me këtë për disa ai u bë Bismarck-u i shekullit të 20-të.
Helmut Kohli megjithatë nuk ishte vetëm një patriot gjerman, i cili e shfrytëzoi dhuratën e shndërrimeve historike në Lindje të Evropës. Kancelari rekord ishte edhe një evropian i bindur. Një politikan, i cili për 16 vjet dhe në takime të panumërta evropiane të nivelit të lartë ishte gjithmonë i gatshëm për ta avancuar bashkimin e Evropës. Kjo vlejti për Komunitetin e vjetër Evropian, për komunitetin e zgjeruar të Bashkimit Evropian, për perspektivat e anëtarësimit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, perspektiva që u realizuan me zgjerimin e vitit 2004.
Helmut Kohli ishte edhe – dhe kjo i jep atij nivelin e një burri shteti evropian – bashkëthemeluesi i monedhës së përbashkët evropiane, Euro. Sepse ai – duke menduar në linja të gjëra historike – e kuptoi, se vetëm një monedhë e përbashkët evropiane, heqja dorë nga Dojçmarka e fortë do të ndihmonin kapërcimin e antipative eventuale në Francë, në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera të BE. Një vendim i drejtë, që e bëri të pakthyeshëm unifikimin e kontinentit të vjetër.
Helmut Kohli ishte burrë shteti. Ai ishte një politikan që përfaqësonte njëkohësisht si ribashkimin e Gjermanisë, ashtu edhe bashkimin e Evropës. Një burrë me vendosmëri të madhe personale, i cili atë që e konstatonte të drejtë, edhe e arrinte. Kjo e bëri atë, pavarësisht nga shumë kritika veçanërisht në Gjermani, një politikan të respektuar dhe të vlerësuar veçanërisht në botën e jashtme. /DW/