“Zgjidhja” do të kthehet në parti politike!”- ka deklaruar kryetari i Lëvizjes brenda PS, Koço Kokëdhima.
Duke folur përpara anëtarëve të PS-së dhe mbështetësve të lëvizjes ‘Zgjidhja” në Lushnjë, drejtuesi i lëvizjes Koço Kokëdhima, u shpreh se Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të lëvizjes “Zgjidhja”- raportoi sot KJ.
“Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë”-u shpreh Kokëdhima.
Ish deputeti i spikatur i PS nisi në nëntorin e kaluar lëvizjen brenda PS-së për demokratizimin, shumimin dhe modernizimin e saj. Zoti Kokëdhima u shpreh se lëvizja “Zgjidhja” i ofroi Ramës bashkëpunim për të qëndruar në Partinë Socialiste dhe për të shkuar të bashkuar në zgjedhje, por të gjitha ftesave, ai ju përgjigj me refuzim dhe me gjuhën e tij të drunjtë e të drurit, siç ndodhi me shkarkimin e Sadrit Danajt në Vlorë dhe të dhjetëra mbështetësve të tjerë të lëvizjes “Zgjidhja”.
/Veritas.com.al/