Avioni i shoqërisë boliviane LaMia, që u rrëzua në fund të nëntorit në Kolumbi ku gjetën vdekjen 71 njerës, ndër të cilët 19 futbollistë të klubit brazilian të Chapecoense, nuk ka patur karburant, sipas rezultateve paraprake të hetimit të Aviacionit civil të paraqitura sot, e hënë 26 dhjetor në Bogota.
Pilotët “ishin të ndërgjegjshëm për mungesat në karburantin që kishin në dispozicion, që nuk ishte aq sa duhej, që nuk mjaftonte”, deklaroi sekretari për sigurinë i Aviacionit civil kolumbian, koloneli Freddy Bonilla, gjatë një konference për shtyp.
Ata megjithatë nuk i informuan autoritetet aeronautike kolumbiane dhe nuk sinjalizuan se avioni ishte përballur me një urgjencë veçse 7 minuta para përplasjes në faqen e një mali në rrethinat e Medellin (perëndimor), në 28 nëntor.
Piloti dhe ndihmës-piloti menduan të uleshin në Bogota ose në Leticia (jug) për faktin e “limitit të karburantit”, por nuk bënë asnjë kërkesë në këtë drejtim, sipas Bonilla-s.
“Atë ditë, ne nuk kemi asnjë provë që tregon se një faktor teknik ka shkaktuar aksidentin, gjithçka lidhej me një faktor njerëzor dhe menaxhimi “, ka shtuar ai, duke saktësuar se përveç kësaj avioni e kishte kaluar peshën e lejuar me afërsisht 500 kg, por se kjo nuk kishte qenë “përcaktuese” në aksident.
Sipas Aviacionit civil, në orën 21:49 të 28 nëntorit (02:49 GMT, dt 29) piotët kërkojnë të ulen me përparësi për shkak të një problemi potencial karburanti dhe kontrollorja ajrore e aeroportit José Maria Cordova de Rionegro, që mbulon Medellin, u jep “rrugën më direkt dhe më imdiaten”.
Por avioni i LaMia-s ndërmerr zbritjen pa e marrë ende autorizimin, ndërkohë që një avion i shoqërisë kolumbiane Avianca është në fazë zbritjeje, dhe të tjerë avionë ishin tashmë në sektor.
Gjashtë minuta para aksidentit, në orën 21:53, një nga motorët ndalet. Tre minuta më vonë, të katërt reshtin së funksionuari.
Në orën 21:57, ekuipazhi deklaron se avioni është në urgjencë për shkak të “mungesës së energjisë elektrike” dhe se është “pa karburant”. Ai zhduket nga radarët. Një minutë më vonë, ai kërkon të ulet dhe zbret në 9.000 këmbë, afërsisht 1.000 këmbë nën lartësinë minimale që kërkohet për këtë zonë.
Ai përplaset në faqen e malit Cerro Gordo, 50 km nga Medellin, në 21:58 me orën lokale (01:58 GMT) me një shpejtësi prej 115 nyjesh (afërsisht 230 km/o).
/Veritas.com.al/