(FOTO: Ylli Vata, shef i komisariatit të Policisë, Laç)/

Dorëzohet në polici, ish -shefi i Rendit në Laç, pak kohë pasi prokuroria kishte nxjerrë urdhër-arresti për të me akuzën se kishte lejuar kultivimin e drogës.

Sot paradite, Ylli Vata u dorëzua në polici dhe do të përgjigjet para drejtësisë për dosjen tashmë të kopsitur nga organi i akuzës.

Akuza:

Prokuroria për Krime të Rënda, njoftoi kohe me pare se me kërkesë të saj, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Ylli Vata, me funksion Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, në kuadër të një hetimi për veprat penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Vendimi i gjykatës ende nuk është zbatuar pasi i dyshuari nuk është paraqitur në punë që prej ditës kur ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, në dt. 13.02.2017.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, ka rezultuar se oficeri i policisë Vata, duke qenë dhe epror direkt i specialistëve të policisë të zonave, ka ndikuar në moskryerjen e detyrës së tyre, si pjesë e zinxhirit kriminal dhe si bashkëpuntor në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Emri i Shefit të Rendit të Kurbinit rezultoi gjatë hetimit të nisur pak muaj më parë nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të të cilit, në Nëntor 2016 u arrestuan edhe 7 persona, njëri prej të cilëve efektiv policie.

Vata, i lidhur me trafikantët

Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit, i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre.

Në bazë të të dhënave të marra nga hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se shtetasi Lefter Nelaj dhe bashkëpuntorët e tij, bashkëpunonin ngushtësisht me drejtuesin e rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë miratimin e gjykatës për arrestimin e oficerit të policisë, Ylli Vata.

/Veritas.com.al/