Praga do të jetë qendra e politikës sot dhe nesër, kur 44 udhëheqës europian mblidhen në takimin inaugurues të komunitetit politik europian, por paqartësi të shumta mbeten mbi atë që organizata përfaqëson dhe që mund të arrijë.
Samiti do të përfshijë 27 shtetet anëtarë të BE, vendet aspiruese për integrim të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Lindore, e gjithashtu Britaninë e Madhe dhe Turqinë. Të përjashtuara janë Rusia dhe Bjellorusia.
Në Pragë po krijojmë një rend të ri pa Rusinë, tha shefi i politikës së jashtme të BE, Josef Borrell. “Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend… Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu”, tha Borrell.
Kryeministri i Republikës Çeke, e cila kryeson Bashkimin Europian, Petr Fiala, paralajmëroi e cilësoi samitin si një mundësi për diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë dhe paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, si dhe synimet e mbrojtjes së mjedisit. Mes skepticizmit të atyre qe e shohin iniciativën si një dhomë pritje për shtetet deri më tani të refuzuara nga BE, ideatori i saj, Emmanuel Macron ka theksuar se Komuniteti Politik Europian nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit por një mënyrë për të lejuar bashkëpunim më të ngushtë me vendet demokratike rreth kontinentit.
“Na duhej një lloj forumi alternativ për të angazhuar këto vende, përkatësisht ato të Ballkanit Perëndimor dhe treshen Gjeorgji, Moldavi, Ukrainë, teksa negociatat për integrimin vijojnë. Iniciativa ka krijuar një lloja skepticizmi dhe po perceptohet si një lloj alternative ndaj integrimit. Por gjatë muajve të fundit debati ka evoluar në mënyrë të konsiderueshme, është diskutuar në BE dhe një sërë liderësh e kanë konfirmuar se kjo nuk është alternativë ndaj anëtarësimit”, thotë Marta Mucznik, analiste politike, Qendra Europiane e Politikës.