Pas takimeve intensive në Tiranë për arritjen e konsensusit për kalimin e reformës në drejtësi, kreu i Kuvendit Ilir Meta është parë sërish bashkë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Kësaj here në ceremoninë e hapjes së Konventës së Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton pritet të marrë emërimin si kandidatja demokrate për Presidente e SHBA-ve.
Pamjet janë shpërndarë për mediat nga PD. Meta e Basha kanë qenë pranë njëri-tjetrit gjatë takimeve me personalitete të lartë të demokratëve në SHBA. Nga socialistët në konventën e demokratëve ishte i pranishëm ish-kryeministri Pandeli Majko dhe deputetja Olta Xhaçka, të cilët kanë pozuar para kamerave të qeshur në krah të kreut të PD-së, Basha.
Zyra për shtyp e PD, njofton se lideri i opozitës Basha u takua me drejtues të lartë të Partisë Demokratike amerikane, senatorë dhe kongresmenë të pranishëm në Konventë dhe ne forumet e shumta ku ai është ftuar si mik nderi.