Edhe pak durim kërkon kryeministri Edi Rama për drejtuesit e mjeteve në aksin Shkodër-Tiranë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit thotë se qeveria është e vetëdijshme që rritja e fluksit të vizitorëve në këtë sezon e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot-Kashar.
Kreu i qeverisë kërkon ndjesë për këtë, por thotë se lajmi i mirë është që puna për ta lidhur Shqipërinë Perëndimore nga Veriu në Jug me Korridorin Blu ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh.
Kreu i qeverisë bën me dije se në segmentin Thumanë-Kashar po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve.
Për segmentet Milot – Thumanë, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tre kontrata të reja, që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna, sipas Ramës.
Për aksin Milot-Balldren do të hapet gara e ndërtimit në Lezhë. Ndërkohë Muriqan-Lezhë, sipas kryeministrit, është segmenti lidhës me Malin e Zi. Për të, konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023.
Kryeministri Edi Rama thotë se korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të Shqipërisë.
“Korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të Shqipërisë 2030, e cila po merr formë ditë pas dite, si ylli në ngjitje i Ballkanit Perëndimor. Përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim dhe falë edhe Korridorit Blu po edhe shumë veprave publike në nivel vendor dhe investimeve shumë të konsiderueshme private në turizëm, Shqipërinë bregdetare turistike do ta kemi një nga krenaritë tona të mëdha kombëtare”, shkruan kreu i qeverisë.