Kryetari i PD së Librazhdit, Bujar Vreto ka lëshuar akuza të forta ndaj Ilir Metës, ku thotë se  është dhunuar dhe persekutuar nga policia e tij. I revoltuar për aleancën Meta-Berisha, demokrati e quan të pamundur të harrohen “bëmat” e Metës, si blloku 700 mijë eurosh apo tradhtia e tij ndaj PD në 2013-n.

“Kam qenë i shtruar 2 javë në spital se policia e Edmond Kosenit më ka dhunuar dhe kam brinjë te krisura. Si do e harrojnë demokratët bllokun e Ilir Metës?”, shprehet Vreto.

Më tej ai shton se marrëveshja mes PD dhe PL të drejtuar nga Ilir Meta është jashtë çdo morali politik.

Vreto u shpreh se çdo demokrat e ka shumë të qartë se Meta me veprimet e tij politike në vite ka çimentuar pushtetin e Edi Ramës.

“Ata që çfarë nuk kanë thënë për njëri tjetrin e gjejnë një gjuhë, por çfarë do t’i thonë popullit këta? A ju kujtohet viti 2000 kur do futeshim në Vlorë me Berishën, Meta ishte kryeministër.

Jemi dhunuar dhe persekutuar nga policia e Ilir Metës, kam qenë i shtruar 2 javë në spital se policia e Edmond Kosenit më ka dhunuar dhe kam brinjë te krisura. Si do e harrojnë demokratët bllokun e Ilir Metës?

Si do e harrojnë demokratët tradhtinë që ndodhi nga Meta. Si ka mundësi që në 2013 me një ngjalë, Meta iku tek Rama? Meta miratoi reformën territoriale, më e keqja për popullin shqiptar.

Miratoi 8 ligjet e reformës në drejtësi që sot është në dorën e Ramës. Meta i ka shërbyer me një devotshmëri të jashtëzakonshme Ramës, duke i dhënë gjithë pushtetin”, tha ai për Euronews Albania.