Deputetja dhe kandidatja për deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka qenë e ashpër sot gjatë një interviste në drejtim të Partisë Socialiste, raporton NOA.

E ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Kryemadhi foli dhe për sondazhet, duke thënë se shifrat e sondazheve nuk e shqetësojnë aspak, ndërsa theksoi se sondazhet e Sorosit e morën më qafë Hillary Clinton dhe jo më Edi Ramën.

“Shifrat e sondazheve nuk më shqetësojnë aspak. Edhe ne bëjmë sondazhe. Sondazhet e Sorosit janë ato që morën më qafë Hillary Clinton, e njëjta gjë po ndodh edhe në Shqipëri”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi i ka vënë një notë qeverisjes me PS-në. Ndryshe nga Meta që vuri 8 për dy vitet e para dhe 4 për dy vitet e dyta, Kryemadhi mezi i dha një pesë për fillimin dhe dysh pas viti 2015 deri sot.

“PS nuk i ka qëndruar marrëveshjes as për ligjin e arsimit të lartë dhe as për koncesionet. Kurse LSI i ka qëndruar në të gjitha pikat. Meta i vuri 8 dhe 4, po unë gjatë kësaj periudhe do mendoja 5-6 dhe pas 2015 as dysh nuk do i vija”, tha Kryemadhi.

Veritas.com.al/