Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes tragjike në Shëlli të Matit, motivi pse kryeplaku i fshatit, Kujtim Koxha vrau tre punonjës të bashkisë, është se ai u kërkoi që t’i çonin rrugën deri në oborrin e shtëpisë.

‘Po të mos i kishte shmangur armën do të kishte vrarë të shtatë vetët që ndodheshin në lokal’, tha një dëshmitar.

Policia e Matit ka marrë në mbrojtje familjen e Kujtim Koxhës, autorit të vrasjes së 3 punonjësve të Bashkisë dhe plagosjen e një tjetri pasditen e sotme në fshatin Shëlli.

51 vjeçari Koxha pas debatit me punonjësit e Bashkisë që kishin shkuar në fshat për rikonstruksionin e rrugës, ka marrë armën dhe në momentin kur ata kanë qenë duke drekuar i ka qëlluar me breshëri plumbash duke lënë të vdekur Mentor Hoxhën, Hamit Buçin dhe Erzen Aliajn. Ndërkohë është plagosur Astrit Hani, i cili po merr trajtim në Spitalin e Burrelit.

Për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme të familjarëve të personave që kanë ndërruar jetë është marrë dhe masa e mbrojtjes ndaj familjarëve.

Kujtim Koxha është kryeplak i fshatit Shëlli si dhe kryetar i Partisë Socialiste po i këtij fshati.

Veritas.com.al/