Nga Enver Robelli
Në një analistë të gjatë të Enver Robellit për atë çfarë ka ndodhur sot në Kosovë, ndër rrjeshta lexon edhe një pohim mjaft interesant. … thotë se në një raport të NATO-s se Kadri Veseli, kreu aktual i Parlamentit të Kosovës raportohet të jetë kriminel dhe tregtar droge.
Nga Enver Robelli*
1. Nuk ishte kjo ditë e duhur për të arrestuar Albin Kurtin.
2. Nuk ishte aksion i mençur i policisë që të bëjë spektakël duke hyrë dhunshëm në selinë e një partie politike.
3. Arrestimet janë përpjekje e bandave të pushtetit dhe organizatës kriminale SHIK për të acaruar situatën, sepse kaosi u konvenon për të qëndruar në pushtet – si faktor stabiliteti.
4. Zhurma, dhuna, tensionet janë hiç më pak se klithma për të penguar themelimin e Gjykatës Speciale. Nëse shkojnë 10 apo 15 ishkomandantë të UÇKsë në burg për dhunim të grave rome, vrasje të civilëve serbë, ekzekutim të atyre që ishin të shënjuar si rugovistë, atëherë mund të prishet kupola e krimit. «Do të turpërohemi çfarë gjërash do të dalin në sipërfaqe», po thotë njëri prej themeluesve të UÇKsë, tash figurë e lartë në PDK.
5. Këto ditë po rrumbullakohet futja nën kontroll e shtetit nga strukturat kriminale të SHIKut, krahut paramilitar të PDKsë. Kreu i kësaj bande, që tash është kryetar Kuvendi me votat e LDKsë, madje po thotë se SHIKu e paskësh evituar luftën civile ndërshqiptare. Në fakt, luftën civile ndërshqiptare e ka evituar LDK duke mos ia kthyer pushkën kriminelëve shqiptarë që pas luftës vranë dhjetëra krerë të LDKsë. Në çdo raport të NATOs krerët e SHIKut përshkruhen si tregtarë droge, shefa të nëntokës së krimit të organizuar, të korruptuar – apo thjeshtë si vrasës! Ata rrinë në pushtet falë ismetbeqirave, isamustafave dhe faqezinjve të tjerë.
6. Dita e Flamurit, 28 nëntori i sivjetmë, shkoi sipas skenarit: kryeministri (po!) Hashim Thaçi hodhi benzinë në zjarr me milicinë e tij, Isa Mustafa iku diku sypatrembur dhe krenar për aleancën e tij me nëntokën politike, ndërsa Albin Kurti e mori rolin e martirit – atë rol që e kërkon me ngulm. Kush humbi? Republika dhe qytetarët e saj! Kush u gëzua? Rusia dhe Serbia!
7. Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë kërkesa të arsyeshme, por lufta me gaz lotsjellës në parlament dhe me sprej është e papranueshme. Kush mendon se këso sjelljesh janë thjeshtë bagatellë, ka probleme serioze me kuptimin e shtetit dhe ligjit. Nëse granatat e gazit lotsjellës pranohen si pjesë e debatit politik, nesër lirisht mund ta legalizojmë edhe vrasjen në emër të kauzave të larta.
8. Kjo polici do të ishte e besueshme nëse me po kaq këmbëngulje do arrestonte edhe djemtë e Adem Grabovcit për sulm ndaj policisë.
9. Kjo gjyqësi do të ishte e besueshme nëse me kaq këmbëngulje do të merrej me dosjet e ishdrejtorëve të Isa Mustafës në Komunën e Prishtinës.
10. Ky 28 nëntor ishte veç një ditë e zezë e faqezinjve – në pushtet dhe opozitë.
11. Opozita paralajmëroi një protestë në mbrojtje të Republikës. Në këtë manifestim për Republikën më së shumti u sha flamuri i Republikës. Thua se flamuri është fajtor për dështimet e Kosovës. Ka dhjetëra shtete me flamuj me dizajn më të zbehtë se ky i Kosovës, por janë shtete shumë më të suksesshme.
12. Në manifestim u treguan shumë përralla patriotike pa i përmendur themeluesit e Republikës së Kosovës.
13. U dëgjuan mesazhe mesianike nga mesia vetë.
14. U demonstrua ambicie për të drejtuar gjeopolitikën – mundësisht në njërën anë delegacioni i revolucionarëve supershqiptarë A. Kurti, R. Haradinaj, F. Limaj – dhe në anën tjetër të tavolinës: Barack Obama, Angela Merkel, Vladimir Putin, Xi Jinping, Narendra Modi, Shinzo Abe, Dilma Rousseff, Jacob Zuma, Rexhep Taip Erdogan…
15. U ngatërrua shteti me pushtetin! Edhe më keq: u shfaqën ambicie destruktive që në emër të luftës (legjitime!) për pushtet me një harxh të groposet edhe vetë ideja për Republikën e Kosovës. Pastaj ia dorëzojmë në tabak gjysmën Serbisë, gjysmën Shqipërisë – dhe i biem çiftelisë. Fundja, Tadiqi, Daçiqi dhe të tjerët në Beligrad ka vite që thonë: për ndarjen e Kosovës duam të flasim me Tiranën.
16. S’keni faj, supershqiptarë, xxlshqiptarë, hipershqiptarë opozitarë. Rrogat prej buxhetit të Kosovës i merrni.
17. E votat? Për këtë nuk duhet të talleni me popullin.
18. Kujt nuk i pëlqen flamuri i Kosovës le të gjejë vende të tjera për të kandiduar. Edhe politika është treg i hapur. Fetishizimi i flamurit kombëtar dhe shfrytëzimi e keqpërdorimi i tij për të pështyrë mbi flamurin e Kosovës në fakt e tregon fytyrën e vërtetë të mitingashëve që bërtasin nga foltorja. Por britma kurrë nuk ka qenë argument për të bindur askënd.
19. Ramush Haradinaj paskësh pyetur në miting: pse Kosova sot është «e përulur dhe e turpnume», «e lodhur dhe ekonomikisht e dërmuar». Pyetje të mira dhe të bëra pikërisht nga njëri prej shkaktarëve që Kosova është e tillë sot.
20. Ka një shpjegim përse nuk ka disponim të madh në opinion për kursin aventurier të opozitës: jo pak krerë të saj janë po aq të përlyer në krim sa një pjesë e madhe e pushtetarëve. Bashkë e kanë fundosur Kosovën dhe në çastin e fundit duan të përdorin biletën patriotike për të hyrë në vagonin e historisë.
21. Mësimi nga kjo ditë: në këtë betejë ka pak heronj dhe shumë faqezinj, të paaftë për të kuptuar se frustrimi personal apo frika nga dora e drejtësisë ndërkombëtare nuk janë arsye për të demontuar një shtet.