TIRANË- 1.4 milionë euro për këshilltarin e Trump. 8 muaj nga nënshkrimi i kontratës, është zbuluar më në fund pagesa që mori fushatuesi amerikan Chris La Civita për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit.

Sipas raportit financiar të dorëzuar në KQZ, PD ka paguar 1.4 milionë euro për Chris La Civita, së bashku me ekipin e tij, të përbërë nga ish-fushatuesi tjetër Paul Manafort dhe Sterwart Jackson.

Kaq është paguar për punën e La Civita në rreth 1 muaj punë në Shqipëri, dy udhëtime vajtje-ardhje Uashington-Tiranë, 3 fjalime nga 3 minuta, 2 në Tiranë e 1 në Itali dhe 2 takime e disa lidhje online me ekipin e Berishës në Shqipëri.

Megjithatë, La Civita i kishte marrë masat. Këstin e parë e mori një ditë pas firmosjes së kontratës, dy këste të tjera në mars para se të hapte fushatën dhe të fundit, 2 javë pas zgjedhjeve.

Në fund, rezultoi se Chris La Civita nuk pati efekt, PD humbi dhe ra në 500 mijë vota, të përkthyera në 50 mandate.

Por vetë La Civita iku me 1 milionë euro, ndërkohë që në 2025 mori 19.2 milionë dollar nga Donald Trump për ti bërë fushatën e rikthyer në Shtëpinë e Bardhe.

Nga ana tjetër, kjo faturë e PD i bashkëngjitet kontratës së lobimit në SHBA për heqjen e non-gratës së Sali Berishës. Në pak muaj në fushatë, vetëm për dy kontrata, PD shpenzoi 7.4 milionë dollar. Të dyja kontratat, nuk i kanë sjellë sukses.

Kurse për çështjet dytësore të Ekipit të La Civita në Tiranë u kujdes aleati i Berishës, republikani Fatmir Mediu.

Zbulohet nga raporti financiar i tij, se ka paguar rreth 3 mijë euro, për të akomoduar La Civitën, Paul Manafort dhe Stewart Jackson në një nga hotelet më luksoze të Tiranës. Aty La Civitës nuk u mungoi shtrati, dhoma, minibari apo dhe masazhi indian.

Por Mediu edhe për imazhin e tij kontaktoi po me amerikanë. Pagoi 35 mijë euro një kompani për fushatën e tij në rrjetet sociale.

Kurse 50 mijë euro nga 118 mijë euro në total të shpenzuara në fushatë, ia dha PD për mitingjet elektorale. Ashtu si 70 nga 100 mijë eurot e shpenzuara nga Partia e Lirisë.

Në total Partia Demokratike shpenzoi 2.2 milionë euro për fushatën, por 1.4 ishin për La Civitën, 800 mijë euro shkuan për gjithë infrastrukturën, kandidatët dhe ekipin shqiptar.

Megjithatë, kjo mund të cilësohet fushata më e shtrenjtë e një partie në Shqipëri. Partia Socialiste, fituesja e zgjedhjeve të 11 majit, rezulton të ketë harxhuar 1.7 milionë euro, thuajse sa kontrata e PD me La Civitën.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *