Familja Cali ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Kurbinit që vendosi masën ‘arrest me burg’ për vëllezërit Gjergj dhe Nikollë Cali, të përfshirë në konflikt me deputetin Armando Prenga në muajin shtator.
Familja Cali është shprehur e indinjuar për këtë vendim të Gjykatës ndaj të afërmve të tyre, duke pasur parasysh edhe vendimin e Gjykatës së Lartë disa ditë më parë që ndryshoi masën për deputetin Armando Prenga, nga arrest me burg në arrest shtëpie. Edhe deputeti ka qenë i përfshirë në konfliktin për Lagunën e Patokut, ku ndaj tij rëndojnë tre akuza. Familja Cali thotë se u është hequr padrejtësisht liria dhe vendimi i Gjykatës ishte i padrejtë. Ata akuzuan gjithashtu se provat e ngjarjes janë shkatërruar.
Sipas tyre, policia nuk ka dhënë versionin e saktë të ngjarjes, por dha atë version që e urdhëruan. “Denoncuam ngjarjen se po manipulohej, po shkatërronin provat kur ne ishim në spital. Policia dha versionin që e urdhëruan të japë. Gjykata dje ishte peng i një vendimi të padrejtë, ne do ta vazhdojmë betejën për të fituar lirinë”, shprehet familja Cali.