Shkrimtari dhe publicisti i njohur Kiço Blushi është ndarë nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 75-vjeçare.

Kiço Blushi lindi në qytetin e Korçës më 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Ai është shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues dhe skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare.

Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Kiço Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual, që mori dhe ushtroi me përkushtim e përgjegjësi publike në momente kyçe për fatet e vendit.

Më 20 shkurt të vitit 1991 ai u thirr nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 1996 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.

Nga 1997 deri në vitin 2001 ai ka qenë sërish deputet i PS, por për shkak të sistemit zgjedhor ishte në listat e PSD-së, si një nga partitë e vogla të koalicionit.

Më pas Kiço Blushi u bë kryeredaktor i gazetës së njohur “Koha Jonë” dhe kur i dha fund kësaj eksperience, ai u bë anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Edhe pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, ai mbeti në politikën aktive. Shkrimtari i shquar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga viti 2007 deri në 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Nesër (9 shkurt) në ora 14:00 zhvillohet ceremonia e përcjelljes në banesën e fundit të të ndjerit Kiço Blushi në varrezat e Sharrës. Nisja nga banesa pranë ish-Hotel Arbana (aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit).

Pritja mbas varrimit tek restorant Piazza, mbas Muzeut Kombëtar, njofton familja!

Familja pret vizita tek restorant Piazza në 11:00-13:00 dhe 17:00-20:00 nga data 10 shkurt deri në 17 shkurt!

Veritas.com.al/