TIRANË – Janë mbyllur homazhet për regjisorin e shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Angnosti do të varroset në Vuno të Himarës. Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta ditën e djeshme, qeveria shpalli të martën ditën zie.

Këshilli i Ministrave e ka shpallur ditë zie kombëtare datën 2 shtator 2025 (sot), në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Me një karrierë mbi katër dekada, Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe pedagog, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare.

Ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke trajtuar tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Shumë prej skenarëve i hartoi vetë, duke dëshmuar një talent të gjithanshëm. Veprat e tij filmike kryesore janë: “Komisari i dritës” (1966), “Duel i heshtur” (1967), “Plagë të vjetra” (1968), “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Cuca e maleve” (1974), “Kur hiqen maskat” (1975), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Monumenti” (1977), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Përrallë nga e kaluara” (1987), “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989) dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, filmi me të cilin fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Për krijimtarinë e tij, Anagnosti u nderua me një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Ishte Artist i Popullit. Në vitin 2011 mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *