Një shqiptar është në mesin e viktimave në Larisa në Greqi, si pasojë e përplasjes së dy trenave, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës.

Gazetari i Abc News, Arlind Isa raportoi nga Larisa se viktima është 60-vjeçari Pavlin Bozo, nga Lushnja, i cili punonte në bar/bufe brenda në tren.

“Një shqiptar, 60-vjeçar nga Lushnja, Pavlin Bozo ka humbur jetën në këtë aksident. Ai ka qenë një ndër 12 punonjësit që zhvillonin aktivitetin e tyre në tren. Trupi i tij, deri në momentin që flasim nuk është gjendur ende, por që informacioni saktësohet edhe nga burimet tona diplomatike.”, theksoi gazetari Isa.

Ndërkaq, po sipas burimeve diplomatike, mësohet se dy shqiptarë rezultojnë të zhdukur, një vajzë dhe një djalë. Për vajzën 22-vjeçare Klaudia Lata, prindërit po presin përgjigjen e ADN-së.

Nga aksidenti tragjik, deri më tani kanë ndërruar jetë 47 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë.