Ish-ministri Lefter Koka vijon të kërkojë rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për akuzat e ngritura ndaj tij për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Avokati i tij Julian Mertiri, u shpreh se Koka është i sëmurë, ndërsa paralajmëroi se do të publikohen ‘fakte të padëgjuara deri tani’.

“Sot ishte kërkesa e dytë për zëvendësimin e masës së sigurimit, ai është në kushte të rënduara shëndetësore. Gjendja e tij nuk mund të vazhdojë në paraburgim, por gjykata mori edhe rolin e mjekut dhe ekspertëve dhe vendosi të rrëzonte kërkesën. Kemi 9 seanca për një vendimmarrje. Seanca e radhës është më 7 nëntor. Në këto kushte, do të kërkojmë që çështja të shkojë në gjyq në themel. I vetmi person që u ndalua në shtëpinë e tij, e priti me qetësi hetimin, por janë më shumë se 10 muaj, në ato kushte ai sot do të ishte i lirë. Është i sëmurë, por gjallë dhe do të japë mbrojtjen e tij. Do të dëgjoni fakte dhe argumente që nuk i keni dëgjuar deri tani”, u shpreh avokati i Lefter Kokës.

“Në gjyq do mësoni gjëra që si keni dëgjuar”.  Ky është paralajmërimi i fortë i avokatit të Lefter Kokës.

“Do shkojmë në gjyq të hapur, ku ju jeni të ftuar prej nesh të vini e të shihni e dëgjoni vetë se çka ndodhur? Kush bëri çfarë?! Hajdeni në gjyq, mos përhapni më thashetheme me whatsapp.  Hajdeni se mbase do mësoni gjëra që si keni dëgjuar më parë.  Lefter Koka është i sëmurë, por është gjallë.  Ju faleminderit për vëmendjen. Hajdeni në gjyq”,  tha avokati Mërtiri.