Politikanë nga e gjithë bota shprehen të lehtësuar pas dështimit të puçit ushtarak në Turqi. Ata e dënojnë këtë tentativë dhe kërkojnë respektimin e rendit demokratik në vend.
Pas tentativës për puç ushtarak nga disa qarqe të ushtrisë turke, presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz është shprehur pozitivisht për qetësimin e gjendjes në Turqi. “E përshëndes që këtë mëngjes sërish sundon ligji”, ka thënë Schulz në twitter. Duhet të marrë fund gjakderdhja dhe të sigurohet ndarja e pushteteve. “Stabiliteti i vendit është vendimtar për të gjithë rajonin”, ka theksuar Schulz.
Ndërsa e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini që ndodhej në samitin BE-Azi në kryeqytetin mongol, Ulan Bator u shpreh në tëitter se kërkon vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj institucioneve demokratike në Turqi.
Reagime mbështetëse për qeverinë turke vijnë nga e gjithë bota. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault ka thënë se shpreson që demokracia turke do të forcohet pas këtij testi dhe se do të respektohen liritë themelore.
Populli turk ka treguar se është “i pjekur dhe i guximshëm”, ka thënë ai. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi pas puçit ushtarak në Turqi. Kombet e Bashkuara i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Turqi, ka thënë një zëdhënës i Ban.
Presidenti amerikan, Barack Obama apeloi ndaj palëve në konflikt të mënjanojnë dhunën dhe gjakderdhjen. Përveç kësaj ato duhet të respektojnë “qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike” në Turqi. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kërkoi “respekt të plotë” ndaj institucioneve demokratike të vendit.