Ish luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i arrestuar disa muaj më parë në Tiranë, është liruar nga burgu. Gjykata e Apelit kundërshtoi këtë të martë vendimin e Shkallës së Parë, të marrë më 19 Shtator, për ekstradimin e ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare drejt Kosovës dhe më pas drejt Holandës.

Avokatët ankimuan vendimin në Apel në fillim të Tetorit për shkak të çështjes me natyrë politike. Mbrojtja theksonte se mungonte nënshkrimi i ministrit të drejtësisë së Kosovës për t’i hapur rrugë ekstradimit drejt Holandës, duke thënë se është një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje.

Goxhaj u arrestua më 31 korrik me urdhër të Gjykatës Speciale, me pretendimin se ka publikuar emrat e disa dëshmitarëve në një proces gjyqësor. Ai akuzohet akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Njoftimi për shtyp:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit ndaj shtetasit me iniciale Dritan Goxhaj nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, ka vendosur:

– Pranimin e kërkesës .
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar Dritan Goxhaj nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale Dritan Goxhaj, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, deklarimin e pafajshëm dhe moslejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit Dritan Goxhaj nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves.
– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin Dritan Goxhaj, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane.
-Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale.