Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur kryeministrit Rama përsa i përket “vijës së kuqe” që ai thotë se ka vendosur SHBA dhe BE për reformën në drejtësi.
Nënkryetari Petrit Vasili tha se në një konferencë për shtyp se vetëm Komisioni i Venecias mund të përcaktojë vijat e kuqe të kësaj reforme.
Një ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi se vija e kuqe përsa i përket vetingut nuk ishte hequr nga peneli i tij, por nga SHBA dhe BE.
Kjo deklaratë e LSI është një goditje e drejpërdrejtë e qëndrimit të Ramës, i cili ka deklaruar se nuk do të lëshojë pe përsa u përket institucioneve të vetingut. Vasili tha se neni 88 nuk mund ta mbajë peng reformën në drejtësi, ndërsa e quajti legjitime kërkesën e opozitës.
Vasili kritikoi edhe daljet publike në konferenca shtypi të Ramës e Bashës, duke thënë se janë të paarsyeshme, për shkak se nuk sjellin asgjë të re, por vetëm ligjërojnë qëndrimet e ditura tashmë. Kryetari i LSI, Ilir Meta, e ka bërë të qartë se nuk do të votojë një reformë pa opozitën.