Në vitin 2003, këndoi këngën “Valeria” dhe në vitin 2007 këngën “Il senso della vita” (Kuptimi i jetës).
Në vitin 2010, Elsa Lila do të sillte në jetë së bashku me partnerin e saj, zhytësin profesionist që e njohu në Madakaskar, Alessando, vajzën e tyre Evita.
Elsa Lila qëndroi aktive edhe në politikën shqiptare.
Në vitin 2010 do të futej në grevën e urisë, në mbështetje të Partisë Socialiste (PS) për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës.
Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, kryetari i PS-së, opozitë në atë kohë, Edi Rama, do të postonte një fotografi në Facebook me mbishkrimin “me Elsën, yllin e pashuajtshëm që sot erdhi për të votuar Rilindjen”.
Artistët e tjerë të arrestuar për trafikim droge
Por, Elsa Lila nuk është personazhi i vetëm me famë në Shqipëri që arrestohet me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Me të njëjtën akuzë janë arrestuar edhe këngëtarja e njohur Liljana Kondakçi, aktori i ndjerë Koço Devole dhe aktori Viktor Zhusti.
Liljana Kondakçi u arrestua në vitin 2010 në Selanik, Greqi pas një urdhërarresti ndërkombëtar. Kondakçiu bënte trafik droge, pasi u shpëtonte kontrolleve policore, duke shfrytëzuar reputacionin e saj si këngëtare. Problemet e para të saj me policinë ishin në vitet 2006, kur u ndal nga autoritetet italiane, teksa po transportonte 3 kilogramë heroinë. Ajo u lirua në vitin 2013 dhe u rikthye në Shqipëri.
Në vitet 1998, aktori i mirënjohur për publikun shqiptar, Viktor Zhusti, u arrestua në Greqi pasi u kap me 11 kilogramë kokainë.
Aktori i “Dhe vjen një ditë”, u dënua me 18 vite burg në shtetin grek.
Gjithashtu, aktori dhe komediani, Koço Devole, u arrestua duke transportuar drogë në shtetin italian. Autoritetet e gjetën drogën në valixhen e aktorit dhe ai u arrestua së bashku me tre shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohen si trafikantë droge. Devole u kishte thënë autoriteteve italiane se nuk kishte lidhje me trafikantët, por ndodhej rastësisht në makinën e tyre.
Komediani qëndroi shtatë muaj e gjysmë në burg, përpara se të lirohej.