Manfredi Palumbo, prokuror i Pesaro, Itali, gjatë një deklaratë për median “Corriere Adriatico”, është shprehur se “klani i shqiptarëve në Itali është Mafia e 5 që vepron në vendin tonë. E nuk e them sot për herë të parë”. Sipas renditjes që bën prokurori italian, mafia shqiptare vjen menjëherë pas Sacra Corona Unita, mafia pulieze.
Deklarata e tij vjen pak orë pas sekuestrimit të 1820 kg marijuanë e arrestimit të 5 shtetasve shqiptarë që trafikonin lëndën narkotike me gomone nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.
“Ishte viti 1998, që para 18 vitesh që kam dhënë nga të parët alarmin mbi rrezikun që vinte përtej Adriatikut.
Ishte epoka e zbarkimeve të para në brigjet italiane dhe e kriminalitetit për të fituar me anë të ligjit të terrorit, territore zotërimi për t’i shfrytëzuar për prostitucion e trafik droge.
Maxi operacioni i orëve të fundit për sekeustrimin e një sasie rekord droge shënon një pikë forcë për Prokurorinë e Policinë Italiane”, tha ai.
Prokurori i Pesaros e identifikon aktivitetin kriminal të organizata shqiptare në Itali si Mafia e 5, pasi në këtë vend ekzistojnë 4 mafie të njohura historikisht: Kamorra mafia napoletane, Cosa Nostra, mafia siciliane, Ndragheta, mafia calabraze, Sacra Corona Unita, mafia pulieze.