Regjimi i “Oligarkisë, banditizmit e krimit”, i konceptuar e përgatitur që në 2000 në krye të Bashkisë së Tiranës, filluar të realizohet që nga viti 2005 në krye të PSSH dhe i konsoliduar me ardhjen në pushtet në qershor 2013 në krye të qeverisë, këto ditë ka kryer aktin e fundit të “marrëzisë dhe delirit” oligarkik. Kryeministri dhe klientela e tij kanë hedhur ne treg një portal me emrin transparenca.al, përmes të cilit synojnë të vënë nën kontroll hapësirën virtuale dhe rrjetet sociale ose të paktën të rrudhin apo sulmojnë kundërshtarët e këtij regjimi që pasi i kanë larguar nga hapësirat mediatike na qenkan strehuar dhe “i bezdisin” në rrjetet sociale, facebook apo twiter…Njëlloj si në Korenë e Veriut…

Shqiptarët kërkojnë azil ekonomik me arsyetim politik…

Saktësisht siç e ka përkufizuar Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në Shqipëri, si dhe në të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, “interesat e oligarkisë e të korrupsionit kanë nëpërkëmbur aspiratat e qytetarëve”, të cilët tashmë të pashprese po largohen drejt Gjermanisë e vendeve të tjera të BE. Kjo është “arsyeja politike” e “azilkërkuesve ekonomike” shqip[tarë që paraqiten në Europë duke kërkuar azil, pra arsyeja e tyre është tërësisht politike dhe lidhet me formën e regjimit të “oligarkisë, banditizmit dhe krimit” të instaluar në Shqipëri pas vitit 2013, prandaj dhe kjo dukuri ndodh më këto përmasa gjatë vitit të fundit, ndërkohë që “adhurimi për Gjermaninë” ka 25 vjet që nuk ndryshon dhe niveli i varfërisë ndonëse është rritur e zgjeruar nuk arrin ta shpjegojë dimensionin dhe intensitetin e kësaj dukurie…

Regjimi oligarkik i Ramës po tenton të kontrollojë së fundmi edhe hapësirën virtuale

Regjimi i “oligarkisë, banditizmit dhe krimit” pasi

1) ka blerë votat,

2) ka blerë mandatet;

3) çdo ditë po ushtron presion e dhunë mbi opozitën e kundërshtarët politikë, për ti rrudhur e eleminuar; dhe terror mbi qytetarët për ti nënshtruar e tulatur…

4) ka monopolizuar bizneset kryesore dhe të tjerat po i terrorizon e shkatërron;

5) ka ngritur rrjetin e medias së shkruar dhe elektronike, gebelsiane e klienteliste, që mashtron çdo ditë publikun me propagandën e saj bajate dhe shan, sajon, ofendon dhe sulmon e dhunon kundërshtaret e opozitën;

6) ka vënë nën kontroll gjyqësorin dhe po përpiqet përmes reformës së drejtësisë të ketë në sistemin e drejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e saj;

7) ka vëne nën kontroll dhe/ose i ka mbyllur gojën shoqërisë civile;

8) po rrjep me shpejtësi pasuritë e fondet publike dhe po tenton të bëjë marrëveshje me “forca të treta” jasht partneriale që i adhuron si modele të oligarkisë dhe nuk e bezdisnin për standardet e demokracisë perëndimore;

Këto ditë ka kryer aktin e pashembullt e “makabër”, po kërkon të zaptojë e vendosë nën kontroll edhe hapsirën virtuale, po kërkon të vendosë nën kontroll rrjetet sociale, facebook e twiter. Po përpiqet të bëjë atë që ka bërë me median e shkruar dhe elektronike, të ushtrojë presion e dhunë mbi portalet, mbi llogaritë dhe faqet në facebook apo twiter. Synimi është i qartë, mendimi i lirë e alternativ dhe kundërshtaret e regjimit të mos kenë mundësi të shprehen lirisht edhe në rrjetet sociale, e madje të intimidohen nëse vazhdojnë të kundërshtojnë “liderin global” dhe “arritjet e sukseset e tij” imagjinare e propagandistike…

Stili i një veprimi gelebsian për të kontrolluar hapësirën virtuale

Regjimi i “oligarkisë, banditizmit dhe krimit” përmes një serie veprimesh gebelsiane ka tentuar prej kohësh ti mbyllë gojën opozitës dhe të gjithë kundërshtarëve. Në median e shkruar dhe elektronike të sponsorizuar nga regjimi oligarkik është aplikuar teknologjia e “errësimit të kundërshtarëve” përmes qarkullimit të listave të zeza me emrat e kundërshtarëve të regjimit të cilët nuk ju lejohet as të shkruajnë me mediat klineteliste as të dalin në televizionet e regjimit. Madje është ngritur dhe paguhet një ushtri e tërë e “gardistëve” të regjimit, të paguar për të kërcënuar, sharë, ofenduar, hakeruar dhe deri tentuar për të bllokuar në rrjetet sociale apo portalet e ndryshme cilindo që nuk rrjeshtohet me regjimin apo nuk i nënshtrohet regjimit të “oligarkisë, banditizmit dhe krimit…”. Prej dy ditësh këtë gjë Rama dhe shtabi i tij kanë vendosur ta kryejnë në mënyrë të organizuar nga zyra e Kryeministrit. Me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Me objektiv të qartë, për të ushtruar presion mbi opozitën dhe kundërshtarët e “qeverisë së tij” të cilët operojnë të lirë në rrjetet sociale…Sigurisht që kjo është një marrëzi…Kjo është paranojë…Por ndërkohë mesa duket është edhe fundi i një marrëzie.

Fundi i marrëzisë nga paniku, çoroditja, shthurrje dhe rrënimi

Qeveria e dalë nga “aleanca e qelbësirave” (siç e kanë vetëpagëzuar) është në panik të thellë. Është e zhytur në batakun e një korrupsioni të pashembullt që po shtrihet kudo dhe po shfaqet frikshëm. Është e çoroditur nga sherret e brendshme dhe frika e luftës kundër korrupsionit dhe krimit. Është e marrosur nga skandalet që po i shpërthejnë nga të katër anët dhe e tmerruar nga gjendja ekonomike e sociale katastrofike. Kjo qeveri nuk kupton më se çfarë bën, nuk di se ku po shkon, nuk shikon se si vendi po zhytet në krizë dhe rrëshqet në greminë…Dhe kjo qeveri e kapur nga ky panik kërkon të shpëtojë duke gjetur dhe eliminuar “armiqtë e tradhtarët”, kundërshtarët e saj që duket sikur i shfaqen kudo pavarësisht se ajo ka marrë të gjithë masat për t’i eliminuar dhe çfarrosur. Kryeministri dhe klientela e tij pasi kanë vënë nën kontroll të gjithë hapësirat reale demokratike ndjehen të pasigurt, të kërcënuar dhe te frikësuar prandaj kërkojnë të kontrollojnë edhe të vetmen hapësirë të lirë, hapësirën virtuale, rrjetet sociale…Kjo është e tmerrshme…

Ky është fundi i marrëzisë…

Kjo është çmenduri e sindromi i një marrëzie që tregon se sëmundja ka avancuar në përmasa të paimagjinueshme dhe shërimi është i pamundur. Megjithatë sugjeroj të rrini të qetë…Nuk do t’ia dalin…Po vjen momenti i çrrënjosjes së tyre…Ky është fundi i marrëzisë së tyre…

Nga Kastriot Islami