
40 banorë të fshatit Zharrës që ndodhen prej ditësh në grevë urie kundër kompanisë Bankers Petrolium, janë nisur në këmbë nga Fieri për në Tiranë në atë që e kanë quajtur si “marshim për drejtësi”.
Grevistët shoqërohen nga të afërm të tyre, pasi gjendja shëndetësore është rënduar për shkak se janë prej 3 javësh në grevë. Ata u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’u bashkohen rrugës në protestën e tyre që duan të zhvillojnë para kryeministrisë.
Banorët e fshatit Zharrës akuzojnë Bankers Petrolium se u ka dëmtuar shtëpitë me shpërthimet nëntokësore që përdorin për nxjerrjen e naftës. Ata i kanë kërkuar qeverisë të marrë masa dhe protestën po e zhvendosin para zyrës së kryeministrit Rama, pasi e akuzojnë qeverinë se nuk po mbron interesat e tyre.
Veritas.com.al/