FBI dyshon se sulmi në San Bernardino të Kalifornisë, që la 14 viktima dhe 17 të plagosur, është një akt terrorist. Dy autorët janë një çift me origjinë arabe dhe ekspertët thonë se ata u sollën njësoj si atentatorët e sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris; sulm kundër personave të pambrojtur dhe në fund përplasje me armë me policinë. Një mision pa kthim, nga i cili terroristët nuk mund të dilnin të gjallë. Për këtë arsye hetuesit besojnë se ishte një sulm mirëfilli terrorist. 
Megjithatë këto janë vetëm dyshime. Autoritetet nuk kanë ende një version zyrtar. Dhe aq më e vështirë bëhet zbardhja e motivit me vrasjen e dy autorëve, çiftit Syed Rizwan Farook, 28 vjeç dhe partneres së tij 27 –vjeçare, Tashfeen Malik.

Ata vepruan si komando. Ishin të armatosur rëndë, me automatik dhe pistoleta kur sulmuan qendrën e përsonave me aftësi të kufizuar, ku punonte Farook.
Një zyrtar i policisë së San Bernardinos tha se Farook kishte patur një grindje gjatë një feste me kolegët e tij. Ishte larguar prej saj dhe pak minuta më pas ishte kthyer i armatosur bashkë me partneren dhe kishte nisur të qëllojë pa paralajmërim.
Çifti tentoi të largohet nga qendra me një fuoristradë dhe kur forcat e policisë e rrethuan ata qëlluan edhe ndaj tyre. Një polic u plagos, ndërsa dy autorët e masakrës u vranë. Farook njihej si besimtar i madh. Babai i tij u dha disa mediave amerikane që ai falej rregullisht. Pak muaj më parë ai kishte qenë në Arabinë Saudite, por pak dihet mbi aktivitetin e tij atje. Nuk është e qartë nëse ai ka patur lidhje me ndonjë celulë terroriste dhe FBI po heton intensivisht në këtë drejtim. 

  3