
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka folur për Euronews Albania në lidhje me situatën kritike të krijuar nga zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një gjendje emergjente për shkak të temperaturave ekstreme dhe vatrave të shumta të zjarrit që janë shpërndarë në disa qarqe.
Çako informoi se mbi 10 mijë forca të emergjencave civile janë të angazhuara në operacione për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin.
Përveç tyre, janë përfshirë edhe vullnetarë dhe institucione të tjera që veprojnë sipas ligjit për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
“Që prej datës 15 qershor, jemi në krye të detyrës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në këmbë dhe në gatishmëri të jashtëzakonshme,” tha Çako.
Ai bëri me dije se janë aktivizuar të gjitha kapacitetet vendase, ndërsa vendi është mbështetur edhe nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.
Sipas Çakos, ndërhyrja e këtij viti është nga më të mëdhatë ndonjëherë, për shkak të përmasave të jashtëzakonshme që ka marrë situata.
“Në përmasa të tilla, edhe shtete të tjera përballen me vështirësi, ashtu si ne. Si këtë vit nuk kemi pasur asnjëherë ndërhyrje të këtij niveli. Kemi pasur katër helikopterë të flotës shqiptare, por edhe avionë Canader nga Italia, Kroacia dhe Greqia. Po ashtu, edhe Çekia dhe Sllovakia kanë sjellë helikopterë”, u shpreh ai.
Komente