Stavri Vasilovski, 45-vjeçar, është mbytur në Liqenin e Prespës në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi kishte dalë për të peshkuar së bashku më vëllain dhe një tjetër. Dallgët e mëdha në liqen kanë përmbysur varkën dhe teksa 2 të tjerët kanë mundur të dalin me not Vasilovksi dyshohet se është zënë nga varka poshtë dhe nuk ka mundur të dalë.

“Më datë 05.09.2021, në orët e para të mëngjesit, jemi njoftuar se në liqenin e Prespës, shtetasit S. V., 45 vjeç, i cili kishte dalë gjatë mbrëmjes për të peshkuar, si pasojë e dallgëve të forta të liqenit, i është përmbysur varka dhe dyshohet se mund të jetë mbytur. Është bërë njoftimi dhe pritet ardhja e polumbarëve, për të kryer kërkimet e nevojshme. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje ku po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Korçës.

Trupi i tij u gjet pasditen e sotme, në vendin e quajtur Oso, afër kufirit me Greqinë. Në kërkime u angazhuan  jo vetëm polumbarët nga Tirana por dhe peshkatarët e zonës.Gjatë ditës pati edhe kërkime nga punonjës të bashkisë, peshkatarë dhe punëtorë.

Trupi i pajetë i peshkatarit do të transportohet drejt morgut të Spitalit të Korçës, ku do të pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.