
Deputeti i PS, Lavdërim Krashi, thotë se është e metë e madhe e Shqipërisë mbivendosja e autoriteteve. Ai theksoi se bashkitë duhet të kenë rol primar, për situata emergjence si zjarret. Krashi tha se ka nevojë për riorganizim dhe riqasje sa i përket administratës, pasi ka shumë nëpunës që janë abuzues.
“Për mua është tepër e rëndësishme mënyra si do funksionojë administrata publike në tërësi. Rreth 70-80 për qind është administratë publike në nivel lokal. 62 mijë janë të punësuar në autoritete lokale në bashki, ndërkohë që ke institucione kombëtare që veprojnë. Është një handikap shqiptar, një e metë e madhe, që ka mbivendosje të autoritetit. Sepse bashkitë janë të zhveshura nga përgjegjësitë. Flasim për zjarret, ka mbivendosje. Ka ekip në nivel bashkiak, rajonal, dhe në nivel kombëtar.
Kjo është recetë për dështim të garantuar. Bashkitë duhet të kenë rolin primar, rolin kryesor. Është shumë e rëndësishme shërbimet që u jepen qytetarëve. A ka nevojë për rirorganizim, ristrukturim, riqasje, ripërqasje? Patjetër që ka. Jemi dëshmitarë që përveç faktit që kemi individë në administratë, korrekt, me integritet, me vizion, profesionistë, në të njëjtën kohë kemi shumë shërbëtorë publikë që janë abuzues publik. Unë jam një nga kritikët kryesor të administratës publike.
Në të çdo raport ndërkombëtar janë dy element kryesor: Lufta kundër korrupsionit dhe reforma në administratën publike. Administrata publike në nivel lokal dhe qendror s’funksion ashtu siç duhet të funksionojë. Bashkitë afishojnë vende pune pa pikë kriteri, thirrje pa lidhje”, tha ai për MCN.
Ndër të tjera Krashi u shpreh se në administratë ka drejtorë që s’dinë të shkruajnë dhe punonjës me makina 200 mijë euroshe dhe miliarderë. Ai theksoi se sektori publik nuk është për të arritur të mira materiale.
“S’kemi nevojë për ministër Shteti për Pushtetin lokal për të kuptuar zaptimin e trotuareve. A është ndërhyrja me vonesë? A është ashtu siç duhet bërë? Këto mund të diskutohen. Por që ka nevojë për ndërhyrje, këtë s’e luan topi. Shqipëria pa adresuar këto gjëra ta harrojë BE-në dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Unë mendoj që s’ka nevojë për 61 bashki. Numri i bashkive duhet të jetë ndoshta 12, apo 4. Çfarë ekonomie zhvillon Pusteci apo Klosi?! Panelet që do intervistojnë njerëz për të punuar në bashki s’duhet të jenë politikë.
Në BE shkohet me metoda europiane. Këtu ka drejtorë dhe punonjës që s’dinë të shkruajnë, s’e di për të lexuar. Si mundet ti me rrogë 2 milionë të kesh makinë 200 mijë euro dhe i ndërron kostumet përditë. Ku i gjen lekët? S’është sektori publik për të arritur të mira materiale, është sektori privat. Punonjës administrate që rezultojnë milionerë dhe miliarderë, me hotele në bregdet”, tha ai.
Komente