
Nga Denis Dyrnjaja
Ndërsa rrëmoja përmes lajmesh e komentesh të ditës, më ra në sy reagimi i ish deputetes demokrate Liliana Elmazi Billa. Përmes një statusi në rrjetet sociale ajo shpreh revoltën e saj, që kolegë apo ish kolegë deputetë përfitojnë nga pozitat që kanë për favore dhe pasurim nga pushteti aktual. Deri këtu bashkohem me znj Billa, pasi nëse kjo ndodh, së pari nuk është morale dhe së dyti mund të jetë edhe vepër penale, pasi bie ndesh me konfliktin e interesit, gjithnjë nëse kjo provohet.
Ajo çka më ra në sy më tej në vijim në reagimin e ish deputetes së PD dhe që është një logjikë e paarsyeshme, është mentaliteti, që demokratët e thjeshtë rrinë rrugëve prej 13 vitesh pa punë dhe pa pushtet. Kjo nuk do as mend as kalem për ta kuptuar çfarë nënkupton. Pra sipas znj Elmazi këta janë njerëz të papunë, sepse mund dhe duhet t’iu gjejë punë partia dhe që partia t’iu gjejë punë duhet marrë pushteti.
Ky është mentalitet i vjetër dhe tipik komunist, kur shteti është garanti i vendit te punës, pse jo dhe i përfitimeve të tjera të nënkuptuara. Pra është pak a shumë një lloj lufte klasash që ndodh me zëvendësim njerëzish në vende pune në administratën publike kur ndërrojnë vendet në pushtet partitë politike. Që do të thotë se ndryshimi i pushtetit automatikisht paralajmëron edhe largimin nga puna të një morie njerëzish, për t’u zëvendësuar nga një mori njerëzish të tjerë që kryesisht profesion kryesor kanë qenien militant.
Kjo mendësi duhet refuzuar, jo se kjo administrata që është sot në pushtet është ajo që duhet, apo është një siguri se po bën atë që duhet, por se nuk mund të vazhdojmë pa fund të kemi një administratë publike politike ose partiake që pret vendin e punës nga ndryshimi i pushtetit dhe kështu do kemi gjithnjë probleme me paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe për pasojë edhe arrogancë e korrupsion.
Pra nuk ka rëndësi që nuk ke një profesion të specializuar apo kualifikimin e duhur, mjafton të jetë partia ku aderon në pushtet, se mund të bëhesh edhe mësues edhe mjek, edhe doganier edhe agjent tatimor, edhe faturues në OSHE apo në ujësjellës, edhe sportelist në zyra postare e shumë, e shumë profesione të tjera, edhe pa patur asnjë lidhje kualifikimi me to.
Ky është degradimi që ka ndodhur me mendësinë e shtetit në Shqipëri. Prandaj dhe zgjedhjet nuk janë zgjedhje por votime, sepse njerëzit shkojnë me interesin të fitojë më mirë partia ime, partia që do më japë një vend pune qyl, një të drejtë studimi pa meritë, që më vonë kthehet në përfitime.
Përsa kohë pushteti do të vazhdojë të konsiderohet si lopë që duhet marrë, zotëruar e mjelë për të përfituar, nuk do të ketë as zgjedhje të drejta dhe as administrata të mira. Ndaj demokratët që janë pa punë kanë në dorë të bëjnë ndryshimin, duke u bërë profesionistë, se të jesh profesionist të mban të pavarur ekonomikisht nga pushteti, të bën më të fortë si individ dhe si rrjedhojë edhe si forcë politike.
Por nëse pret që një militant socialist, që ka zënë vendin tënd që në 2013 ta zëvendësosh përsëri po ti, zor se kjo do të ndodhë, se për një vend pune kur pretendojnë dy militantë më i favorizuar është ai që ka pushtetin.
Ndaj të jesh demokrat e të rrish rrugëve pa punë për 13 vjet, sikurse referon ish deputetja Liliana Elmazi Billa, nuk është faji askujt, përveç se i vetë atyre njerëzve që nuk janë të aftë të gjejnë punë se nuk kanë një profesion apo aftësi për t’u angazhuar me punë përveçse se te jenë militantë. Jemi në sistemin kapitalist dhe ai që ka vlerë gjen vend pune pa u marrë kush me bindjet e tij politike. Rasti i vetëm kur nuk gjen punë është ose paaftësi profesionale ose dembelizëm karakterial që vërdalliset rreth një vendi pune në shtet.
Njoh shumë inxhinierë, arkitektë, mësues, mjekë apo elektricistë të aftë që janë demokratë apo opozitarë me këtë qeveri. Por kjo si ka lënë ata as pa punë as në pritje të pushtetit. Ata janë demokratë se kanë bindjen e tyre për të qenë me atë krah politik, por kjo nuk i bën ata aq pa dinjitet, sa të rrinë të presin kur do vijnë në pushtet për të zënë një vend pune në shtet.
Në një fare mënyre për ta thënë thjeshtë fare, aktivizmi politik duhet marrë si tifozeritë e skuadrave të futbollit. Të gjithë punojnë në profesione të ndryshme, por kur vjen puna te sporti profesioni dhe gara janë të ndara. Ata nuk presin të bëhen futbollistë pa qenë të tillë, që edhe të fitojnë kampionatin bashkë me skuadrën e tyre të preferuar. Edhe aktivizmi politik bëhet për bindje, jo për të kap punë në shtet.
Në administratë duhet të punojnë profesionistët përtej bindjeve të tyre politike. E kemi arritur këtë standard? Jo. A duhet të ndryshojmë mendësinë? Po. Filloni e ndryshoni mendësinë dhe do kuptoni sesa më parë të jeni të pavarur nga pushteti e të keni një profesion real për t’u punësuar, do vijë edhe dinjiteti. Dhe askush nuk do flasë më për demokratët sikur te jenë lypsarë rrugësh, që duhet të presim kur PD do vijë në pushtet që të kapin një vend pune në shtet!
Komente