Mediat prestigjoze ndërkombëtare po pasqyrojnë detaje të zhvillimeve hetimore e politike mbi atë që opozita shqiptare e quan një skandal të përmasave të mëdha, në të cilin është përfshirë kryeministri Edi Rama, duke investuar, (sipas opozitës dhe disa mediave të huaja), 80 mijë dollarë në fushatën elektorale të presidentit Obama në vitin 2012, për të bërë një foto me të. Kjo foto u përdor më pas nga Rama për fushatën elektorale të vitit 2013, ku zgjedhjet u fituan nga koalicioni PS – LSI.

Partia Demokratike e ka kallëzuar kryeministrin Rama në prokurori për 3 vepra penale.

Kryeministri i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka quajtur ato si përpjekje të dëshpëruar të opozitës “për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi”.

Zyra e shtypit e kryeministrit bëri këtë reagim: “Kallëzimi i Partisë Demokratike për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme. Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak te keqqeverisjes”.

Personi që bleu dy biletat 80 mijë dollarëshe për të marrë pjesë në takimin elektoral të Obamës në tetor 2012 në San Francisko, shqiptari Bilal Shehu i ka pranuar të gjitha akuzat përpara një gjykate federale.

Zëri i Amerikës raportoi javën e shkuar se kishte mësuar që fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria.

Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me presidentin Obama.

Opozita dhe disa media të huaja që e raportuan fillimisht këtë ngjarje, saktësojnë se shtetasi i huaj që nuk hyri dot në takimin elektoral të Obamës, pasi e ndalonte ligji dhe që arriti të bënte foton me presidentin, është kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Nënkryetari i PD, Edi Paloka, tha sot se për këtë krim federal po shkruajnë, veç Zërit të Amerikës, mediat më prestigjoze ndërkombëtare.

“Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi Reuters dhe Zëri i Amerikës, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike. Sot listës së mediave botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe Washington Post, Associated Press, Daily Mail, The Guardian. Mbarë globi e di sot dhe tregon me gisht Edi Ramën, pasi mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për krimin federal që po hetohet nga FBI, krim i investuar nga shefi i rilindjes”.

Opozita e paditi Ramën për kryerje të tre veprave penale të dënueshme në Shqipëri, përveç hetimit që po bën FBI. Në akuzën e dorëzuar në prokurori nga PD, Rama është kallëzuar për ndikim të paligjshëm, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të parave.

Bilal Shehu, me banim në Paramus të Nju Xhersit, që menaxhon një kompani limuzinash, pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.

Ai pranoi se në muajin tetor 2012 kishte ndihmuar një shtetas të huaj grek dhe një shtetas tjetër të huaj për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë “nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh, i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama”.

Shtetasi i Huaj 2, -thotë opozita në Shqipëri – është Edi Rama dhe Shtetasi i Huaj 1 një biznesmen pranë tij.

Bilal Shehu pranoi po ashtu se gjatë muajit shtator 2012, kishte mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë  për Mbledhje Fondesh dhe se kishet mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë.

I pandehuri Shehu, siç raportoi Zëri i Amerikës, u përgjigj pozitivisht edhe kur u pyet nëse “ra dakord të merrte pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan” dhe kishte pranuar “fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i tij personal”

Bilal Shehu ka pranuar se 80 mijë dollarët i kishte marrë në fund të shtatorit në llogari bankare “për të blerë dy çeqe bankare në emrin e tij dhe të gruas tij për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë” dhe se këto çeqe ia kishte dërguar

Komisionit për Mbledhje Fondesh “për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2”.

Ish –kryeministri Berisha kishte shkruar që në kohën e publikimit të “këtij skandali” se Rama kishte shkuar në takim si gruaja e një biznesmeni shqiptaro – amerikan.

Biznesmeni u është përgjigjur pozitivisht edhe pyetjeve të mëposhtme që e thellojnë më tej skandalin në të cilin ai është përfshirë së bashku me Shtetasin e Huaj 2 që ka përfituar nga e gjithë kjo histori:

– Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?

–  A iu mohua shtetasit të huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?

– A jeni fajtor për akuzën e ngritur në Informacion?

Opozita shqiptare thotë se fajësia shkon tek kryeministri Rama, si organizator i skemës për të bërë foton me Obamën dhe përfitues i saj. Një kongresmen republikan, Danna Rohrabacher, i kërkoi FBI –së të hetonte kryeministrin e sapozgjedhur të Shqipërisë, Edi Ramën, për shkelje të ligjit federal, që nuk lejon financime të huaja në fushatat elektorale në SHBA.

FBI e nisi hetimin dhe e zbuloi skemën. Por deri tani nën akuzë ka vënë vetëm shtetasin Bilal Shehu, i cili e pranoi fajësinë para një gjykate federale në Nju Xhersi për financim të parave nga kontribuues të huaj në fushatën e presidentit Obama. /Nga Lapsi.al