Ish-presidenti Rexhep Meidani e mohon nëse ka marrë propozim për Kryeministër i një qeverie teknike, por e sheh të nevojshme një rifreskim të qeverisë, duke lëvizur disa emra dhe duke i dhënë asaj energji të reja.

Duke folur për gazetën “Panorama”, Meidani thotë se janë të domosdoshme disa ndërhyrje, sepse në sytë e shqiptarëve, sipas tij, qeveria vlerësohet e paaftë, e mefshtë, arrogante, por dhe e korruptuar.

Meidani vlerëson rolin e Ilir Metës “në arritjen e konsensusit të plotë për miratimin e Reformës në Drejtësi, “në mënyrë të veçantë për të mos lejuar kapjen e mëtejshme politike të Gjyqësorit”.  Ai thotë se në sajë të angazhimit të kreut të LSI-së u “shmang blerja apo rekrutimi i disa deputetëve”.

Sa i përket rolit të ambasadorëve Lu e Vlahutin, ish-presidenti shprehet se ishte i tëpërt.

Sipas tij, ky teprim i ambasadorëve në detyrimin e politikës shqiptare për të miratuar Reformën në Drejtësi nuk është parë as në momentet më të vështira për vendin, as në krizën e piramidave, por as gjatë referendumit të Kushtetutës në 1998.

Javën e shkuar Meidani pati një drekë me Ilir Metën dhe ish-deputetin socialist, Koço Kokëdhima.

Pas kësaj dreke nisën të qarkullojnë zërat se Meidani mund të ishte propozuar prej Metë si kryeministër i një qeverie teknike.