Frrok Çupi

Në vend që tani ta kishin kaluar Kotorin për këtej, asnjë këmbë njeriu e as trok kali nuk po dëgjohet.

Vetëm shiu ka mbërritur dhe nesër më shumë shi.

Kotori është përmendur sot nga kryqtarët e Zagrebit si një kala që po nuk ndryshoi kufijtë, Mali i Zi nuk do të mund jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Janë përzier kohët.

Jutbina, ose Kotori i sotëm mban një nga legjendat më të hershme të shqiptarëve ku jetuan kreshnikë. Muji kishte dalë në Jutbinë për ta ruajtur Shqipërinë nga armiqtë, jo për ta çuar në theqafje.

Prapë janë ngatërruar epokat.

Njerëzit e qytetërimit të përparuar bëjnë marrëveshje e mosmarrëveshje, por me temën e hyrjes në Qytetërimin Europian. Sot u nënshkruan në Tiranë mes BE, Tiranë, Jutbinë ( Kotor), etj. Ndërsa disa shqiptarë, të ngarkuar me pesha mesjetare, kanë marrë topuzët e para- Mesjetës dhe i janë sulur atdheut Shqipëri.

Nëpër Jutbinë do të udhëtojnë drejt Shkodrës.

Kanë shpallur ditën e  fundit për qytetarët shqiptarë, ‘u erdhi dita’. Këtu njerëzit po luten që të bëhet natë, natë e gjatë, që të mos u shkojë fjala dhunuesve. ‘U erdhi nata!’, ende nuk e kanë formuluar kështu.

Po i marrin hov edhe një herë nënës së tyre Shqipëri. Si në një incest të panjohur.

Tre herë më parë, brenda gjashtë muaj, disa kopukë të shpallur si ‘diaspora shqiptare’ i janë sulur Tiranës. Kanë djegur banka, dyqane, selinë e Parlamentit, selitë e qeverisë, institucionet evropiane, kishën katolike dhe ambasadën e Vatikanit në Shqipëri. Parulla kryesore e tyre ka qenë dhe mbetet ‘T. Q. R’. Edhe femrat e tyre e praktikojnë këtë parullë dhe këtë akt. Si mund të martohen këto zonja me burra, këtë nuk e di kurrkush!

E deformuan njeriun, edhe njeriun që kanë pranë. Madje veten.

Tre herë e kanë sulmuar Tiranën. Sot e kësaj dite, Tirana ka mbetur një qytet i verbër dhe i shurdhër. Pa semaforë, pa trotuare, pa zëra gazmorë, pa kambana kishe, pa korin e fëmijëve në ‘piramidë’.

U bashkuan shqiptarë kundër Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, që bënë namin në bulevard, ishin më të ndershmit: Të paktën kur thërritën ‘T. Q. R. Shqipëri’, fjalën ‘nanë’ e përdorën ashtu kot, sepse nuk e ndjejnë si nanë.

“Ç’nanë na thoni për nanën Terezë!”, thërriste këto ditë një klerik në Kosovë. ‘Ne nuk e kemi nanë!’.

Edhe vetë fjala ‘nanë Shqipni’, është një simbol, nuk është një grua e dalë nga materniteti. ‘Nana Shqipni’ përfaqësohet me simbolet e saj si Nana Terezë apo Gjergj Kastriot- Skënderbeu. Ata kanë të drejtë, nuk i njohin simbolet dhe nuk u quhet se bëjnë incest.

Po këta që thonë se janë shqiptarë të Shqipërisë dhe po thërrasin si hamshorë se ‘u nisëm’ nga shtetet e Perëndimit e do të dhunojnë ‘nënën’.

Këta e quajnë veten ‘diaspora’. Në fakt edhe brenda vetë diasporës  këta janë, një për një, disa laca, shitës droge, trafikantë njerëzish, të ndjekur nga shtetet evropiane. Pra ‘diasporë e diasporës shqiptare’.

Kanë lëshuar përbetime se do të vijnë ‘t’i tregojnë udhën shqiptarëve’. Nëse nuk do të bëjnë siç ‘diaspora’ do,  atëherë do t’i venë dajakun popullit. Kurrë në historinë e njerëzimit nuk është dëgjuar që shtegtari i rrugës së largët të kthehet në shtëpi për të djegur ‘rob’t e vet’.

Këta kanë humbur njeriun, jo vetëm kohët..

A po vijnë, apo jo?! Nesër pritet dhuna. Deri tani nuk ka lajme për ‘ardhje’. Disa parti ‘refugjate’ në Shqipëri, po presin me padurim që të vijnë disa ’shula’ për të zgjidhur hasmëritë me popullin. Por asgjë deri më tani.

Vetëm lajme shiu ka.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *