Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se Evropa rrezikon të bjerë pre e nacionalizmit duke mbyllur kufijtë, si mënyrë për zgjidhjen e krizës me migrantë.
Austria ka thënë se do të mbyllë kalimin kryesor kufitar me Italinë, Brenner, nëse është e nevojshme për të ndaluar rrjedhën e migrantëve.
Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, pasi ka biseduar me kancelaren Merkel në Romë, ka thënë se strategjia e Austrisë është “gabim” dhe “e pajustifikueshme”.
Merkel u ka thënë gazetarëve se kriza me migrantë duhet të zgjidhet jo me mbyllje të kufijve, transmeton REL. “Nuk mund t’i mbyllim kufijtë. Duhet të jemi besnikë ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Merkel.
Sipas saj, vendet e Bashkimit Evropian duhet të mbrojnë marrëveshjen e Schengenit për lëvizje të lirë ose, në të kundërtën, “rrezikojnë të rrëshqasin në nacionalizëm”.
Evropa po përballet me krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.
Mbi një miliona veta, kryesisht të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, kanë arritur në vendet e BE-së vitin e kaluar.