Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka folur sot për ndryshimet ne qeveri që sipas tij janë të mirëpritura nga LSI-ja, nëse do të përshpejtonin reformat.
“Si kryetar i LSI-së, ne jemi të hapur për çdo reflektim që përmirëson qeverisjen e vendit, përfshirë edhe një përfaqësim dhe një angazhim edhe më të vendosur, edhe më energjik të përfaqësuesve tanë në çdo nivel, për të përmirësuar qeverisjen, për të thelluar transparencën e saj dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” – tha Meta në një intervistë për ReportTV.
I pyetur për lajmet që qarkullojnë për zëvendësimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me një eksponent të LSI-së, Meta tha se këto janë trillime.
“Nuk kam asnjë dijeni për lajme të tilla. Për ne është e rëndësishme që qeverisja të vazhdojë punën e saj dhe të punojë çdo ditë për të përmirësuar qeverisjen e vendit”.
Ai gjithashtu tha se me Ramën ka marrëdhënie të mira dhe është në kontakt të vazhdueshëm më të.
“Këta zëra asnjëherë nuk do të pushojnë edhe kur takohemi drejtpërdrejtë edhe kur komunikojmë në distancë. Por unë besoj se edhe fakti që pas një angazhimi, një zhurme të madhe të gjithë politikës deri më 21 korrik, gjithë kjo qetësi kaq e madhe vështirë që të pranohet nga mediat krijuese. Kështu që gjithmonë do të ketë krijimtari, do të ketë portale dhe lajme nga më të ndryshmet. Po, jemi në një komunikim normal” -tha Meta.
Gjithashtu, Meta foli edhe për “Vetting-un”, si edhe nenin 13 të ligjit për Byronë, që sipas opozitës cenon lirinë e mediave.