Në fjalën përshëndetëse në prezantimin flotës së re të policisë së shtetit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi reflektim nga qytetarët por edhe që  ‘përfaqësues të caktuar të politikës që të mos ngrenë dorë ndaj policisë’.

Duke iu drejtuar edhe qytetarëve si mbështetje daj Policisë së shtetit, Ministri tha se në raport me numrin e popullsisë, vendi ynë ka sot një trupë policore të vogël në numër, krahasuar edhe me vende të tjera europiane. Kjo e bën edhe më të domosdoshme punën e politikës dhe të qytetarëve në dobi dhe jo në dëm të Policisë.

Policia po modernizohet, tha ministri. Por “e dimë mirë se modernizmi i vërtetë duhet të ndodhë tek njerëzit, tek burrat dhe gratë që ndërtojnë dhe mirëmbajnë sigurinë tonë. Dhe kjo është sfida e vërtetë, ajo më e rëndësishmja, e cila mundëson që investimet në sisteme e pajisje të japin rezultatin e pritur.

Shërbimi i policisë, tha ministri ‘as blihet e as shitet’ dhe nuk mund të ketë asnjë lloj çmimi material. “Ky shërbim sublim ka një çmim tjetër. Ai është dashuria dhe respekti ynë për policinë tonë”, tha ministri.

Ai solli para të pranishmëve pamjen e dhunës që shpërtheu para dy ditësh kundër policisë së shtetit nga një grup protestuesish e sidomos politikanë që i frymëzuan. “Jo më larg se dy ditë më parë, forcat e policisë, në përmbushje të detyrës që shoqëria u ka ngarkuar, u përballën me një agresivitet të absurd dhe të pabesë nga një grup i caktuar. Ato duar që u ngritën kundër Ina Nukës dhe kolegëve të saj, na tregojnë se verbëria politike e ka përherë potencialin për të sjellë dëme, jo vetëm mbi policinë, por mbi krejt shoqërinë.

Duke iu bërë thirrje politikanëve e qytetarëve por sidomos ‘moshatarëve të Ina Nukës’ zoti Lleshaj tha se “policinë e paguajmë me taksat tona që të përballet vetëm me kriminelët. Për reflektim serioz ftoj edhe përfaqësues të caktuar politikë, të cilët nuk duhet kurrsesi të rreshtohen përballë policisë, por në krah të saj”.

Veritas.com.al/