18 raste të reja me Covid-19 janë zbuluar nga ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 24 orëve të fundit.
Nga këta, 11 janë në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës.
6 janë të shëruarit në 24 orët e fundit.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:
Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri.
Në 24 orët të fundit janë testuar 191 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren.
Rastet e 24 orëve të fundit janë të shpërndara si vijon: 11 raste në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë.
Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por që tregon qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.
Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.
Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.
Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.