Sipas Rusisë, e gjithë ajo që ndodhi në Tiranë e Vlorë, nuk ishte gjë tjetër veçse një nxitje e Perëndimit. Ambasadori Harachenko insiston se pikërisht për këtë nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së…

Moska ka reaguar ashpër pas mbledhjes së përbashkët të dy Kuvendeve të Shqipërisë e Kosovës më 28 nëntor, në Tiranë e Vlorë.

Interesant është fakti se reagimi nuk ka ardhur nëpërmjet kryeqytetit rus, por nga Serbia.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ka lëshuar një deklaratë në mediat serbe, natyrisht në miratim të plotë nga shefat e tij.

BE ka marrë një mesazh të qartë nga Tirana, ku axhenda e Shqipërisë së Madhe po ecën përpara nga krerët e Shqipërisë dhe Kosovës, ashtu dhe mbrojtja e hapur e UÇK-së dhe liderët e saj të akuzuar në Hagë”, deklaroi ai.

E në këtë pikë, siç bën të ditur gazeta e Beogradit “Veçernje Novosti”, ambasadori rus në Serbi, e ka bërë të qartë se Moska do të kundërshtojë fuqishëm planin franko-gjerman për Kosovën.

Kharchenko tha se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrel, po fokusohet tani në planin franko-gjerman për dialogun Serbi-Kosovë, plan i cili parashikon anëtarësimin e Kosovës në OKB.

E si përgjigje, ai thekson se Moska do të ndalojë në çdo mënyrë zbatimin e këtij plani, nëpërmjet lobimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Perëndimi e zvogëloi tensionin e problemit të targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri këtë për të normalizuar situatën. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit”, tha ambasadori rus.

Pra sipas Rusisë, e gjithë ajo që ndodhi në Tiranë e Vlorë, nuk ishte gjë tjetër veçse një nxitje e Perëndimit. Harachenko insiston se pikërisht për këtë nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, pasi kështu e ka më thjesht të bashkohet me Shqipërinë.

Në këtë kontekst, qarqet nacionaliste serbe, shkruajnë se “pas nxitimit të Kurtit për të përfunduar dialogun në pranverë të vitit të ardhshëm, fshihet një plan i rrezikshëm i shqiptarëve”. Në këtë aspekt, këto qarqe kritikojnë lidershipin e Beogradit, sipas të cilëve, “u zgjua me vonesë”. “Veçernie Novosti”, e cila përkrah kryesisht Daçicin, Vulinin apo mbeturina të tjera të kohës së Millosheviçit, shkruan se Vuçiç “zgjoi Edi Ramën dhe Albin Kurtin nga një ëndërr e përbashkët për të gjithë shqiptarët”.

‘Kryeministrat në Prishtinë dhe në Tiranë, Albin Kurti dhe Edi Rama, u zgjuan dje nga ëndrra e tyre për një shtëpi të përbashkët për të gjithë shqiptarët, nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Sigurisë.

Ky dush i ftohtë pasoi mesazhet e fundit të Kurtit dhe Ramës, të dërguara me rastin e shënimit të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin ata ringjallën edhe një herë planet e vjetra të heqjes së kufijve dhe krijimit të një shteti të përbashkët”, shkruan gazeta.

Për këtë arsye, “Veçernije Novosti” akuzon hapur Gjermaninë, e veçanërisht gazetën më prestigjioze të këtij vendi “Franfurter Aemagne Zeitung”. E cila, sipas medias serbe, “muajt e fundit jo vetëm që i ka përcjellë me duar të mbledhura krizat e drejtuara nga Prishtina, por edhe i ka nxitur ato”.

Pjesa që ka tronditur më shumë Beogradin, nga intervista e Albin Kurtit në prestigjiozen gjermane, është ajo kur kryeministri i Kosovës thotë se nuk shkon më në Bruksel për punë targash, por për një marrëveshje finale.

Mbi këtë çështje ka reaguar vetë Aleksandër Vuçiç, i cili duket hapur i irrituar. “Kurti mund të shkojë në Bruksel kur të dojë dhe si të dojë, ky kështë vullneti i tij. A ka thënë se për të ka marrë fund çështja e statusit? Po e përsëris, dhe për mua ka mbaruar, në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. i uroj atij një udhëtim të mbarë!”, tha ai.

Pas Vuçiçit, erdhi reagimi i një miku të tij, ekstremist por i koordinuar me qarqet nacionaliste. Ai është ish-ministri i Brendshëm e i Mbrojtjes i Serbisë, i cili thotë se bashkimit të shqiptarëve duhet t’i kundërvihen me bashkimin e të gjithë serbëve në Ballkan.

Shqipëria e Madhe është një kërcënim i madh për paqen në Ballkan dhe e vetmja gjë që mund ta ruajë paqen është bota serbe. Serbët e bashkuar janë garantuesi që shqiptarët e bashkuar nuk do të përhapen në zonat ku nuk jetojnë. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është i mundur vetëm nëse në të njëjtën mënyrë zgjidhet edhe çështja kombëtare e serbëve”, tha ai për “Veçernije Novosti”