Idetë inovative dhe arti e dërgojnë Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, larg nga e kaluara e saj komuniste.
Pas rënies së Murit të Berlinit, valët e ndryshimit dhe progresi shoqëror në shumë vendet të bllokut lindor nxorën jashtë funksionit ndërtesa komuniste dhe struktura militariste të Luftës së Ftohtë. Në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë i rrethuar nga të gjitha anët me male, qeveria dhe artistët lokalë kanë zgjedhur mënyra të veçanta dhe më të pazakonta për të larguar nga diktatura dhjetëra vjeçare dhe depresioni ekonomik.
“me përhapjen e ngjyrave kudo, u shfqaq edhe një gjendje ndryshimi, frymë e cila filloi të transformonte shpirtin e njerëzve,” tha Rama në një fjalim motivues në TED Talk . “Ajo ringjalli shpresën e humbur në qytetin tim.” Ndërtesat e ngjarosura me ylber, tanimë shërbejnë si sfond për selfie për banorët vendas dhe turistët e huaj. Qeveria pretendon se boja ndihmoi në rënie e shkallës së kriminalitetit dhe bëri që krenaria lokale të shtohet.
Arti dhe piktura publike nuk janë forcat e vetme që po e largojnë këtë kryeqytet të vogël Ballkanik nga epoka Komuniste. Rreth Tiranës, muzetë historik mbushin ish-bunkerët ushtarakë dhe galeritë në të ashtuquajturat me lagje të rezervuara për zyrtarët e partisë.
Një diktator paranojak dhe mania e tij bunker
Deri një ose dy dekada më parë, suveniri më i zakonshëm nga Tirana do të kishte qenë ndoshta një tavëll bunkeri alabastri, por jo një selfie e bërë para një ndërtese shumëngjyrëshe. Bunkerët historikë të ndërtuar në Tiranë, janë mbi të gjitha një tribut për më shumë se 173,000 bunkerët që dikur mbulonin Shqipërinë dhe kryeqytetin e saj, kujtime të errëta të mbretërimit të diktatorit Enver Hoxha në vitet 1941-1985 .
Brutal ndaj qytetarëve të tij dhe jashtëzakonisht paranojak, Hoxha besonte se vendet fqinje Greqia dhe Jugosllavia dhe ish-aleatët sovjetikë donin të pushtonin Shqipërinë. Për këtë arsye duke nisur që nga vitet 1960 deri në fillim të viteve 1980, ai ngriti mijëra fortesa prej betoni në të gjithë vendin, duke filluar me madhësi e një iglo´-je mjaftueshëm për dy persona, deri në tunele të mëdha nëntokësore me shumë dhoma.
Ndërtimi i tyre izoloi më tej vendin dhe dëmtoi financat dhe energjinë e tij, duke e bërë atë një nga vendet më të varfra të Evropës. Në fund të fundit e gjithë përpjekja ishte për asgjë. “Hoxha shpenzoi miliarda dollarë për të realizuar ëndrrën e tij për të bunkerizuar çdo pëllëmbë të Shqipërisë, duke skllavëruar dhe çuar në prag të urisë një komb të tërë “, thotë Admirina Peçi, një gazetare dhe historiane vendase. “Megjithatë historia ka provuar se rreziku real i sulmeve ishte zero”.
Edhe pse shumë bunkerë janë shembur ose shkatërruar, qindra janë akoma funksionalë, disa përdoren si hambarë kafshësh; disa janë pikturuar për t’u ngjarë luleve në periferi të qytetit; ndonjëherë përdoren si streha nga adoleshentët për të mashtruar. Në disa prej vendpushimeve në bregdetin e Adriatikut (rreth një orë larg nga Tirana, bunkerët janë shndërruar në stenda ushqimore dhe dhoma zhveshjesh. Elesio Resort në Golem e ka kthyer bodrumin e bunkerit në një SPA, çatia e tij me kupolë, e ngjitur në restorantin e hotelit, është e mbushur me rafte që mbajnë bufe mëngjesi.
Vendet sekrete gjatë Luftës së Ftohtë bënë muze
Rikonceptimi më i mirë i këtyre strukturave në fund të fundit mbetetBunkÁrt, dy muzetë historikë që gjenden në dy strehimore bërthamore nëntokësore të ndërtuara për të mbrojtur Hoxhën dhe aleatët e tij. Mes dhomave të errëta pa dritare dhe dyerve të trasha prej çeliku me qëllim mbrojtjen e liderëve të partisë nga një shpërthim bërthamor, me instalime video, objekte dhe art bashkëkohor ata paraqesin historinë shqiptare të shekullit të 20-të, përfshirë atë edhe pushtimin fashist italian nga 1939-1944 si dhe epokën komuniste .
“Po bëhej gjithnjë e më e vështirë të hasja në simbole të regjimit të Hoxhës. Të vetmet pjesë të komunizmit të mbetura ende ishin mijëra bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin si kërpudha betoni, “- tha Carlo Bollino, një gazetar me origjinë italiane, i cili prej vitesh jeton në Shqipëri dhe që ndihmoi për të gjetur Bunk’Art në 2014.” Një muze brenda bunkerëve që siguronin mbrojtje nga shpërthimet bërthamore dukej si një formulë për të treguar historinë. ”
Të dy Bunk’Artet – njëri në periferi të Tiranës, tjetri në qendër të qytetit , përfaqësojnë një përzierje eklektike të historisë me artin. Një ekspozitë në lidhje me rëndësinë e madhe që i është dhënë sporteve në kohën e Hoxhës paraqitet me mjeshtëri në një palestër shkolle, një fushë basketbolli ku gjendet edhe një bust i diktatorit me mustaqe. Në hyrje të Bunk’Art 2 në qendër të qytetit, gjenden të varura fotot e shqiptarëve të vrarë nga regjimi Komunist, si një kolonë zanore në përkujtim të të afërmve të tyre.
“Shqiptarët kanë një marrëdhënie të fortë me ritregimin e së kaluarës,” thotë Driant Zeneli , një artist në Tiranë i cili punon në Bunk’Art. Duke qenë se artistët për të parën herë që pas rënies së komunizmit në 1990 mundën të shprehin vetveten, Zeneli thotë se ndihet sikur komuniteti po kompenson kohën e humbur.
“Sot Shqipëria është një vend me ide dhe energji të mëdha, me artistë që mundohen ta përkthejnë tranzicionin nga një diktaturë e gjatë. Ka të bëjë me këndvështrimin e një brezi që kupton të kaluarën e vet dhe shikon të ardhmen. ”
Disa aktivistë dhe të rinjtë shqiptarë besojnë se duhet bërë më shumë për të ruajtur strukturat ushtarake të Luftës së Ftohtë dhe për t’i përdorur ato në formën e duhur për të rrëfyer këtë periudhë historike të karakterizuar nga kampet e punës së detyruar dhe marrjet në pyetje brutale nga Sigurimi i shtetit.
“Nuk ka asnjë politikë të kujtesës, asnjë dëshirë nga ministria e kulturës e Shqipërisë për t’u marrë me trashëgiminë komuniste ose të ndërtimit të një strategjie në lidhje se çfarë të bëhet me bunkerët,” thotë Ivo Krug, bashkëthemelues i Tek Bunkeri , një OJQ me qendër në Tiranë që punon për ripërdorimin e bunkerëve dhe ringjalljen e komuniteteve rurale.
Grupi shndërroi një tunel jashtë Tiranës në një galeri arti dhe kulture në 2017 dhe shpreson të ndihmojë në ngritjen e një muzeu historik në një strehë masive nëntokësore në Vlorë, një qytet pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i gjendur në Shqipërinë perëndimore.
Megjithëse disa kritikë pretendojnë që rikonceptimi ose pikturimi i strukturave të Luftës së Ftohtë është një përpjekje për shkatërrimin e infrastrukturës ose fshirje e historisë së errët të Shqipërisë, këto ndryshime kanë sjellë optimizëm dhe progres qytetit që dikur konsiderohej i shurdhër dhe i depresionuar ekonomikisht. Muret me shkëlqim në lagjet e vjetra si Pazari i Ri dhe Ali Demi tani tërheqin turistë dhe muralet në rrugë, të ndaluara gjatë Komunizmit, kanë lulëzuar në të gjithë qytetin.
“Ngjyra ishte pothuajse inekzistente në hapësirat publike deri në vitet 2000, por dita ditës, gjethe gjigande, objekte gjeometrike, pika dhe fjalë të ndryshme filluan të shfaqeshin në fasadat e ndërtesave”, thotë artistja vendase Ledia Konstandini , e cila ka paraqitur ndryshimin që ka pësuar qyteti me ilustrime dhe foto .
“Në fillim, ato dukeshin pa vend. Por sa më shumë fasada të zbukuruara ishin, aq më natyrale filluan të dukeshin. Njerëzit kapërcyen frikën dhe kufijtë me anë të ngjyrave dhe kjo tanimë është bërë pjesë e identitetit tonë urban ”.
Pranë sheshit Skëndërbeu, sheshit qendror të qytetit, Galeria Kombëtare e Arteve thur mëse mirë të kaluarën dhe të tashmen e Shqipërisë. Punimet bashkëkohore , skulptura të shumta, foto gazetarie ndërthuren me një shfaqje të madhe pikturash dhe vizatimesh të “Realizmit Socialist”.
Artistët e mesit të shekullit 20, të “udhëhequr” nga qeveria diktatoriale u detyruan të pikturojnë imazhe të idealizuara të fermave dhe fshatarëve të lumtur. Fotografitë e bukura të Fshatarëve nga Kolë Idromeno me kostume popullore dhe punëtoret e fabrikës me shami të Isuf Sulovarit, paraqesin një utopi të kaluar socialiste në kundërshtim me ekspozitat në Bunk’Art.
Pak më tutje, gjendet një tjetër simbol i shkatërruar i së kaluarës komuniste të Shqipërisë, Piramida e Tiranës. E ndërtuar në 1988 si një nderim për Hoxhën, ndërtesa me çimento dhe qelq, e cila është dëmtuar shumë në dekadat e fundit. Por një rinovim futurist edhe për të ka filluar në shkurt dhe e cila do të bëjë që ajo të kthehet në një shkollë dhe qendër kulturore STEM.
Ashtu si shumica e ndryshimeve në hapësirat historike në Tiranë, ribërja e piramidës ka krijuar polemikë. “Shumë njerëz i konsiderojnë këto gjëra, si buzëkuq në një fytyrë të vjetër”, thotë Konstandini. “Si artist, unë besoj në gjuhën urbane dhe mendoj se Tirana po fiton një fjalor të ri për të shprehur jetën dhe temperamentin e saj.”/ Shqiptarja.com/