Ish-senatori dhe prokurori zviceran Dick Marty ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut. Në vitin 2010, Marty publikoi një raport mbi trafikimin e supozuar të organeve në Kosovë që implikonte UÇK-në.

Si pasojë e raportit të tij u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë. Kohë më parë, Marty pretendoi se shërbimet sekrete serbe kishin dhënë para për ta vrarë dhe më pas t’ua linin fajin shqiptarëve. Sipas tij, ishte vënë nën mbrojtje policore për shkak të kërcënimeve me jetë.

Marty lindi në kantonin jugor italishtfolës të Ticinos, ku shërbeu si zëvendësprokuror publik, më pas prokuror publik nga viti 1975-1989. Ai ishte anëtar i qeverisë kantonale të Ticinos nga viti 1989 deri në 1995.

I zgjedhur në Senatin Zviceran në vitin 1995, ai ishte anëtar i Partisë Radikale të qendrës së djathtë. Ai dha dorëheqjen në vitin 2011. Ndër nismat e tij ishin instalimi i një prokurori federal të pavarur dhe dekriminalizimi i abortit. Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.

 

Në emër të komitetit, ai hetoi burgjet sekrete të CIA-s në Evropë, duke publikuar një raport në vitin 2006 që thoshte se 14 vende kishin bashkëpunuar me SHBA-në në një “rrjetën e merimangës” të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Marty tha se vende të tjera, përfshirë Zvicrën, ishin përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në ndalimin ose transferimin e personave të panjohur.

Në vitin 2010 ai publikoi një raport mbi trafikimin e dyshuar të organeve në Kosovë, i cili implikonte anëtarë të rangut të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hetimi i fundit me sa duket ishte katalizatori për një urdhër të supozuar për atentat kundër Marty nga Serbia, transmetojnë mediat zvicerane./