Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare aktorja e njohur e skenës, Mimika Luca. Lajmin e hidhur e ka dhënë djali i saj, Gjergj Luca, duke njoftuar se varrimi bëhet nesër
“E shtrenjta nëna ime, Mimika Luca, sot mori rrugën për në Parajsë!”, ka shkruar ai krahas fotos së nënës.
Kush ishte Mimika Luca?
Aktorja ikonike u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi, megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati per talentin dhe për aftësitë e saj fizike.
Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.
Ajo u pranua si aktore e Teatrit Popullor sot Teatri Kombëtar në vitin 1962.
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara” “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.
Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.
Sa i përket marrëdhënies me bashkëshortin, Ndrek Luca, gjatë një interviste disa vite më parë, ajo u tregoi: “Jam njohur me Ndrekën që kur fillova të lahesha në pishinën e Teatrit Popullor. Pastaj, në atë kohë, as ne e as ata nuk linim pa parë asnjë shfaqe të njëri-tjetrit. Për mua ishte më i madhërishmi sepse e njihja nga interpretimet. M’u afrua disa herë aso kohe, më thoshte, është me ujë Selite pishina, do marrësh ndonjë të ftohtë se sa ke dalë nga provat…
Dashuria jonë nisi në oborrin e teatrit. Së pari nisi të fliste ai, të më jepte këshilla a të më bënte pyetje, sepse kuptohet që isha edhe tepër e vogël. Unë thosha me vete, ky njeri, që është kaq, i madh vjen (kishte ardhur një delegacion italian, i cili kishte thënë që pamë një Jago krejt të veçantë) dhe më flet mua! Në moshën 16- vjeçare, i kisha mbushur, unë u marrosa pas tij! Jo vetëm në skenë, por ai ishte aq i madh edhe në jetë. Vishte një pallto ushtarake që i dilnin fijet dhe mua kjo më dukej thjeshtësia më e madhërishme në botë./abcnews.al