Ndahet nga jeta në moshën 55-vjeçare, gazetari i mirënjohur i kronikës së zezë Zamir Dule. Gazetari ka ndërruar jetë në një spital privat në Tiranë, ku ndodhej i shtruar pas ndërhyrjes kirurgjikale së cilës iu nënshtrua. Dule do të prehet në vendlindjen e tij në fshatin Miras të Korçës, ndërsa lajmi i hidhur është mësuar nga familjarë të të ndjerit.

Zamir Dule, ka kontribuar jo pak gjatë viteve të tij të punës.  Ai nisi punën si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas filloi korrespondent i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun e Korçës. Në vitin 1994, ai erdhi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1996, kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës”.

Zamir u tërhoq nga profesioni pasi u dhunua nga policia e ish presidentit demokrat Sali Berisha në marsin e vitit 1997 në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Ai u shoqërua në polici ku u torturua e për pasojë pati edhe probleme të shëndetit mendor.

Qeveria e kryeministrit socialist Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.

Pas largimit nga gazetaria Dule u zhvendos në Korçë, ku jetonte me vëllain në vendlindjen e tij, fshatin Miras të Devollit. Shëndeti i tij është përkeqësuar vazhdimisht.