I lindur në 1939 në Sofie (Bullgari), teoricieni i letërsisë studioi mendimin humanist dhe totalitarizmin.

Mendimtari, teoricieni i letërsisë dhe historiani i mendimit francez me origjinë bullgare Tzvetan Todorov, autor i veprave të shumta studimore për letërsinë, historinë apo politikën, u nda nga jeta të martën 7 shkurt në moshën 77 vjeçare. «Sapo përfundoi librin e tij të fundit, Triumfi i artistit (Le Triomphe de l’artiste), që do të dalë nga shtypi në muajin mars», ka deklaruar e bija.

I lindur në 1939 në Sofie (Bullgari), Tzvetan Todorov u bë i njohur fillimisht për esetë e tij për letërsinë, si Letërsia dhe Kuptimi (Littérature et Signification) dhe Hyrje në letërsinë fantastike (Introduction à la littérature fantastique). Përfaqësues i rrymës  strukturaliste dhe themelues me Gérard Genette në 1970 i revistës së teorisë dhe analizës letrare Poétique, ai iu përkushtua që nga vitet 1980 historisë së mendimit. Ai ka punuar konkretisht mbi mendimin humanist dhe mbi totalitarizmin (Kujtesa e së keqes, tundimi i së mirës / Mémoire du mal, tentation du bien, 2000).
Në  2015 ai boton “Të panënshtruar” (Insoumis), seri portretesh të qëndrestarëve, nga Germaine Tillion deri te Edward Snowden. Drejtor nderi i kërkimeve shkencore në CNRS (Qendra kombëtare kërkimeve shkencore), profesor i ftuar në shumë prej univerisiteteve më  mëdha amerikane, ai ka qenë i martuar me shkrimtaren franko-kanadeze Nancy Huston deri në 2014.

«Mendimtar i lirisë»

Tzvetan Todorov ka qenë gjithashtu themeluesi, në 1983, i Qendrës kërkimore mbi artet dhe gjuhën, një njësi e përzierë kërkimore e atashuar pranë CNRS dhe EHESS. Ai është vlerësuar gjithashtu me çmime të rëndësishme, ndër të cilët çmimi i kritikës së Akademisë franceze në 2011 për punët e tij në tërësi.

“Të mos e çhumanizojmë armikun”*

Eshtë gabim t’i cilësosh “përbindësha” agresorët tanë, të cilët mbeten qenie njerëzore si ne, çmon eseisti dhe historiani i mendimit.

Nga Tzvetan Todorov, eseist/


Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës time në Bullgari, vend që i përkiste asokohe «kampit komunist», i nënshtruar pra nën një regjim totalitar, nocioni i «armikut» ishte një nga më të domosdoshmit dhe më të përdorurit. Ai mundësonte shpjegimin e hendekut gjigand midis shoqërisë ideale, ku duhet të sundojë begatia dhe lumturia, dhe realitetit mjeran në të cilin ne qemë zhytur.
Nëse gjërat nuk shkonin aq mirë sa ç’qe premtuar, faji ishte i armiqve. Këta të fundit ishin dy lloj speciesh të mëdha. Ishte pikësëpari një armik i largët dhe kolektiv, që ne e quanim «imperializmi anglo-amerikan» (një formulë e gatshme), përgjegjës për gjithçka që nuk shkonte si duhej në mbarë botën. Përbri tij shfaqej një armik i afërt, që nuk kishte fytyrë individuale dhe që gjendej në gjirin e institucioneve familjare: shkolla ku studionim, ndërmarrja ku punonim, organizatat ku bënim pjesë. Njeriu që përzgjidhej si armik kishte arsye të ishte i shqetësuar: me t’iu ngjitur kjo etiketë famëkeqe, ai mund të humbiste punën, rregjistrimin në shkollë, të drejtën për të jetuar në aksh qytet, kaq shumë masa që mund të pasoheshin me burgim ose edhe me kamp korrektimi, një institucion me të cilin Bullgaria e asaj kohe qe mbushur paq. 
Duke adoptuar këtë qëndrim, përfaqësuesit e autoriteteve silleshin konform ithtarëve të marrosur pas strategëve të revolucionit, dhe konkretisht pas Leninit, themeluesi i regjimit totalitar…

 

*Marrë nga: “Ne déshumanisons pas l’ennemi”, Tzvetan Todorov