TIRANË- Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Nano, ndodhej i shtruar në spital që prej datës 8 tetor, pas problemeve kronike respiratore.
Kush ishte Fatos Nano
Fatos Nano, emri i cili la gjurmë të thella në Shqipërinë post-komuniste, tranzicionit politik dhe demokracisë.
Lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë, në një familje të lidhur me artin dhe kulturën. I ati, Thanas Nano, ishte redaktor në Radio Tirana.
Gjatë fëmijërisë, ai ishte i njohur për disa talente, 5 gjuhët e huaja, themelimi i grupit të rrokut, dashuria për futbollin, por i prirur fillimisht për economist. Ai u shkollua në Universitetin e Tiranës, ku përfundoi studimet për ekonomi politike.
Ndonëse i rritur në një familje të konsideruar si pjesë e elitës komuniste, Nano falë specializimeve jashtë, por edhe karakterit brenda, ishte ndër të parët që foli për një hapje graduale të ekonomisë në lëngatat e fundit të regjimit.
Por momenti që shënjoi karrierën dhe jetën e tij, do të ishte rrëzimi i regjimit. Nano ishte i përzgjedhuri i Ramiz Alisë si kryeministër. Një detyrë të cilën e mbajti vetëm 3 muaj.
Një detyrë e cila i hapi atij mundësinë e jetës, për të lënë gjurmë në histori. Më 12 qershor të 1991, Partia Komuniste vendosi të ndërrojë fytyrë dhe emër, e të quhej Partia Socialiste, me kryetar të ri, Fatos Nanon.
Por vizioni i Nanos ishte i qartë, ai vendosi të shkëpuste partinë nga trashëgimia ideologjike e diktaturës dhe ta orientonte drejt një modeli socialdemokrat perëndimor. Një hap i rrezikshëm dhe jopopullor në atë kohë. PS ishte nën hijen e të kaluarës, e akuzuar për përfaqësimin e ish-elitës komuniste. Por Nano vendosi të përballej me realitetin dhe të ndërtonte një identitet të ri politik, duke reformuar strukturat, duke përfshirë intelektualë të rinj dhe duke e bërë PS-në pjesë të Internacionales Socialiste.
Por si çdo moment lavdie, ka dhe periudhat e errëta. Nano nga karrigia e kryetarit të opozitës, përfundoi në burg në kohën kur në pushtet ishte qeverisja e Sali Berishës.
30 korrikun e vitit 1993, ai arrestohet për shpërdorim detyre si kryeministër për ndihmat humanitare, dhe dënohet me 12 vite burg.
Me pranga në duar, ai u dërgua fillimisht në burgun e Tiranës e më pas në atë të Bënçës në Tepelenë. Për 4 vite radhazi, dhe momentin e vetëm të lirisë e pati për varrimin e nënës së tij.
Por ai nuk u dorëzua. Nga qelia, ai drejtoi partinë përmes letrave, komunikimeve politike dhe strategjive opozitare. PS u godit ndjeshëm, me një kryetar në burg, por nuk u shpërbë.
Si një dhuratë në qiell të hapur, nga kundërshtari i tij politik, Sali Berisha, piramidat e 1997 dhe revoltat, liruan Fatos Nanon 13 marsin e 97 për tu rikthyer në mënyrë spektakolare tashmë si një lider i burgosur politikisht.
Ai fitoi zgjedhjet me një rezultat revansh, dhe u zgjodh kryeministër për herë të dytë. Sërish detyrën e mbajti shumë pak, 1 vit e 3 muaj.
Por pas lirimit, ai e fitoi betejën e tij personale me padrejtësinë, Gjykata e shpalli të pafajshëm dhe u dëmshpërblye për 4 vitet e burgut.
Me fitoren e PS në 2001 dhe rikthimin si kryeministër në 2002, Fatos Nano konsolidoi pozitat e tij në parti dhe në pushtet. Gjatë kësaj kohe, ai punoi për rikthimin e rendit, për stabilizimin e institucioneve dhe për afrimin e Shqipërisë me BE dhe NATO.
Në këto vite, Nano udhëhoqi qeverinë në një kontekst të vështirë, shpeshherë të polarizuar dhe të paqëndrueshëm. Por ai mbeti një nga figurat e pakta që e kuptonte se ndërtimi i shtetit modern nuk mund të bëhej pa kompromis, pa reformat e dhimbshme dhe pa dialog politik.
Gjatë kësaj periudhe, përpara furtunës së vitit 2005, ai u përball edhe me përçarjen e madhe të PS. Largimin e Ilir Metës, për të krijuar një parti të re të majtë, LSI.
Në zgjedhjet e 2005, Fatos Nano humb zgjedhjet përballë rivalit të tij historic, Sali Berishës, dhe detyrohet të japë dorëheqjen.
Në përpjekjen për tu rizgjedhur si kryetar i PS, Nano u përball me një tjetër investim të tij në parti, Edi Ramën, ish-ministrin e kulturës dhe kryebashkiakun e Tiranës. Në një garë të ashpër mes socialistëve, Edi Rama ia doli të mposhtë Nanon.
Me këtë humbje të dytë brenda pak muajsh, Nano largohet përfundimisht nga politika, në moshën 53 vjeçare.
Më vonë, ai pati tentativa për tu rikthyer sërish, por mbetën vetëm fjalë. Duke mbajtur një profil të ulët, Nano jetoi mes Tiranës dhe Vjenës.
Në vitin 2023, ai u shtrua në spital në reanimacion për shkak të komplikacioneve shëndetësore në mushkëri, por ia doli. Ndërsa herën e dytë, nuk ia doli.
Gjatë jetës së tij, Fatos Nano sfidoi edhe mentalitetin e kohës. Ai u martua dy herë, herën e parë në moshën 24-vvjecare me Rexhina Fatollin, dhe herën e dytë pas divorcit të parë, me Xhoana Nanon, gruan 20 vite më të re. Në vitin 2001, u kurorëzuan në Kishën Ortodokse. Nano la pas 3 fëmijë, Sokolin dhe Edenë nga martesa e parë, Klajdin, djalin e birësuar në martesën e dytë.
Por Nano do të mbetet një politikan i paharrueshëm. Figura e tij liberale, e një Shqipërie jo dhe aq të mirë, por jo dhe aq të egër, duke mbajtur në kurriz një parti e cila vështirë se mund të transformohej prej komunizmit lindor, duke themeluar institucionin e dorëheqjes në politikën e ashpër shqiptare, e për të lënë pas një parti socialiste e cila sot është fare pranë realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky ishte Fatos Nano! /
Komente